Pak kohë pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump dhe pushtetmbajtësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un në territorin e Koresë së Veriut, Pheniani i kritikon SHBA me fjalë të ashpra.
Fillimisht miqtë më të mirë, pastaj sërish sulme verbale. Delegacioni i Koresë së Veriut në OKB i akuzoi SHBA se janë “të fiksuar në veprime armiqësore” dhe “ndaj sanksioneve”. Në mënyrë konkrete, Koreja e Veriut u ankua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dërguar një letër të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, ku u bënin thirrje që të kthenin pas punëtorë të Koresë së Veriut. Letra ishte dërguar më 29 qershor, që përputhej me propozimin e Trumpit për takimin me Kimin.
Në fakt, letra amerikane u dërgua më 27 qershor. Të gjitha vendeve u bëhet thirrje në të që t’u përmbahen sanksioneve. Sipas vlerësimeve të OKB, dhjetëra mijëra punëtorë të Koresë së Veriut dërgohen çdo vit jashtë vendit, veçanërisht në Kinë dhe Rusi, për të fituar para për Phenianin duke punuar në kushte skllavërie.
Samit i ri në korrik?
Trumpi i kishte ofruar papritur Kimit një takim në kuadër të vizitës së tij në Korenë e Jugut në samitin e G20 në Osaka, Japoni, në fund të qershorit. Trumpi është presidenti i parë amerikan në histori që shkeli në territorin e Koresë së Veriut, menjëherë pas kësaj. Kimi dhe Trumpi ranë dakord në takimin e tyre të shkurtër në zonën e çmilitarizuar midis dy shteteve koreane, të rifillojnë negociatat për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Në negociatat bërthamore aktualisht ka stanjacion.
Çështje mosmarrëveshjesh midis dy vendeve janë gjithashtu eksportet e shtetit komunist. Eksportet e Koresë së Veriut në Kinë, në tregun kryesor të saj, ranë gati 90 përqind vitin e kaluar. Kjo konfirmohet nga të dhënat nga Pekini dhe nga një raport i Institutit për Zhvillimin e Koresë në Seul. Gjendja ekonomike në Korenë e Veriut u ashpërsua shumë nga rënia e eksporteve.