Kongresmeni amerikan Eliot Engel të dielën në Shkup

Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme të Kongresit të SHBA-së, kongresmeni Eliot Engel të dielën do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të turnesë së re nëpër vendet e rajonit.

Marketing

Siç paralajmëruan nga pres-shërbimi kuvendor, kongresmeni Engel gjatë qëndrimit do të ketë takim me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Engel së bashku me kongresmenin Majkëlll Mekal, i cili është anëtar i Komisionit për politikë të jashtme të Kongresit të SHBA-së,me të cilin kryeson ai, më 6 shkurt të këtij viti i dërguan letër administratës së presidentit amerikan Donald Tramp me kërkesë për ta mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.Në letrën e adresuar deri tek sekretari shtetëror Majk Pompeo, dy kongresmenët theksojnë se anëtarësimi i shtetit tonë në NATO do të ndihmojë të sigurohet stabilitet dhe paqe në Ballkan.

Përndryshe, kongresmeni amerikan dje e vizitoi qytetin e Preshevës, ku u takua me kryetarin e komunës Shqiprim Arifin dhe me këtë rast për Zërin e Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë deklaroi se “nuk e mbështet idenë për këmbim të territoreve” dhe se “përpjekjet duhet të orientohen ndaj arritjes së paqes afatgjate midis Kosovës dhe Serbisë”.

Para vizitës në Preshevë, Engel të mërkurën në Beograd u takua me deputetët serbë dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në bisedë me deputetët e Kuvendit të Serbisë theksoi se të gjitha mosmarrëveshjet dhe armiqësitë e Ballkanit Perëndimor duhet të tejkalohen dhe se shtetet në rajon duhet mes vete të bashkëpunojnë.