Për pesë ditë rreth 60 mijë shkarkime të aplikacionit “TVSH-ja ime”

Qytetarët kanë drejtuar ankesat e para në DAP për aplikacionin “TVSH-ja ime”. Ka barkode në llogari fiskale të cilat janë të palexueshme dhe nuk mund t’i skenojnë nëpërmjet telefonave. Nga Drejtoria për të ardhura publike porosisin qytetarët që këto llogari t’i skenojnë në aparatet e bar-kod lexuesve, ose t’i dërgojnë në zyrat e DAP.

Marketing

Petari ka grumbulluar llogaritë fiskale dhe ka ardhur në DAP për t’i skenuar. Ai ka shkarkuar aplikacionin TVSH-ja ime, në telefonin e tij celular, por siç thotë, nuk mund ta shfrytëzojë sepse ka probleme teknike.

“Sepse apliakcioni ka probleme me android. Dje reagova me shkrim në drejtori. Në E-mailin me përgjigje shkruante se bëhet fjalë për parregullësi teknike, nga vetë aplikacioni që është i shkarkuar”, tha Petar Bllazheski, qytetar.
Qytetarë të tjerë thonë se me lehtësi kanë shkarkuar aplikacionin për kthimin e TVSH-së dhe të njëjtën po e përdorin pa probleme.

“Po e kam shkarkuar shumë lehtë, gjithçka shkoi shumë mirë. Jam e kënaqur”, tha një qytetare.

“Po e kam shkarkuar para disa ditëve, por e kam harruar fjalëkalimin. Erdha këtu dhe mbarova punë në kohë rekord, jam i kënaqur”, u shpreh një tjetër qytetar.

Nga 1 korriku deri më sot, prej kur edhe ka hyrë në funksion aplikacioni “TVSH-ja ime”, është shkarkuar 57,973 herë në telefona celularë, me çka janë skenuar 433 mijë llogari fiskale. Por ky aplikacion ende nuk mund të shkarkohet në telefonat iPhone.

“Rreth 58 mijë qytetarë kanë shkarkuar aplikacionin “TVSH-ja ime”. Vlera totale e llogarive fiskale shënon 240 milion denarë, prej të cilave 7 milion denarë do tu kthehen qytetarëve njoftojnë nga Drejtoria për të ardhura publike”, Almedina Ismajli, gazetare.

Nga kjo drejtori përsërisin se qytetarët nuk duhet të brengosen për sigurinë e të dhënave personale, ngase siç thonë, aplikacioni është i sigurt dhe nuk kërkon të dhëna personale përveç xhiro-llogarisë, e cila nevojitet për të kthyer TVSH-në. Ndryshe qytetarët mund të kontrollojnë shumën e mbledhur të faturave në e-mailin e tyre.

Të hollat e para nga TVSH-ja, për muajt korrik, gusht, shtator, qytetarët do t’i marrin në dhjetor. Ndërkaq nëse dikush tenton të manipulojë me llogari fiskale, ose provon dy herë të marrë TVSH nga e njëjta llogari, vijon gjobë prej 250 eurosh. Një person fizik në nivel vjetor nga shteti mund të kthejë deri më 7.200 denarë me projektin “TVSH’ja ime”, varësisht nga ajo sa kanë harxhuar dhe sa llogari fiskale kanë skanuar. Llogaritë fiskale jo të vlefshme dhe ata mbi 30 mijë denarë nuk do të pranohen nga aplikacioni.