Policia shqiptare tha se arrestoi dy punonjës policie në qytetin e Fierit të cilët akuzohen se kanë lejuar kultivimin e marihuanës në disa zona rurale të Fierit.
Sipas policisë “arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare“.
Policia tha se Operacioni “Cakrani 2019” për evidentimin dhe asgjësimin e disa parcelave të mbjella me bimë narkotike rezultoi edhe me arrestimin e pesë personave të tjerë. Gjykata e Shkallës së Parë Fier kishte vendosur të enjten caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për të arrestuari mes të cilëve edhe kryeplaku i fshatit Cakran, në Fier.
Policia tha se ka evidentuar disa vatra të mbjella me bimë narkotike apo në përgatitje për tu mbjellë ndërkohë që në banesat e të arrestuarve u gjetën fidanë marihuane të kultivuar në formë kubikësh, raporton VoA.
Kultivimi i marihuanës vijon të mbetet i përhapur në Shqipëri. Grupe kriminale vazhdojnë të shfrytëzojnë terrene të thyera afër zonave me ujë për të mbjellë bimë narkotike. Aktualisht është faza e mbjelljes së fidanëve në këto terrene dhe policia ka nisur veprimet operacionale duke kombinuar informacionin me monitorimet që kryhen nga ajri. Viteve të shkuara kultivimi i marihuanës, sipas vetë policisë, ka njohur bashkëpunim edhe të punonjësve të policisë të cilët i lejuan trafikantët të kultivonin marihuanë duke marrë në këmbim përfitime financiare.