PSG ia ofron Neymarin Madridit

Paris Saint Germain ia ka ofruar Neymar Juniorin Real Madridit. Ky është lajmi bombë që ka dhënë të shtunën në mëngjes MARCA.

Marketing

Sipas të përditshmes madrilene, marrëdhëniet midis Barcelonës dhe PSG-së nuk janë aspak të mira dhe Nasser Al Khelaifi ia ka ofruar Neymarin Real Madridit në dy raste.

“Madridi tani nuk është i bindur nëse duhet apo jo ta blejë brazilian, ndërsa nëse do të kishte ndodhur kjo muaj më parë, gjërat do të ishin ndryshe”, shkruan Marca.

Raportohet se Barcelona dëshiron të ofrojë para dhe lojtarë për Neymarin, por duket se gjithçka është bllokuar tani për tani, sepse jo të gjithë te Barça e duan kthimin e brazilianit në Camp Nou.

Derisa, gjatë ditës së djeshme, Josep Maria Bartomeu nuk hezitoi sërish të thotë se “Ousmane Dembele është më i mirë se Neymar”, duke mos treguar nëse braziliani do të kthehet në Camp Nou.

Ai dha sinjale se as Philippe Coutinho s’do të largohet nga Barça, derisa operacioni për Antoine Griezmann gjithashtu është bllokuar, për shkak se Atletico pretendon që Barça dhe lojtari kanë treguar mos respekt për klubin kur kanë arritur marrëveshje në mars.

Sido që të jetë, nëse deri më tani Neymar dukej afër Barcelonës – gjërat janë komplikuar dukshëm dhe duhet punë për të sqaruar të ardhmen e brazilianit, i cili edhe mund të qëndrojë në PSG.