Sonte finalja e Kupës së Amerikës, Brazil – Peru

Pas 12 vjetësh Brazili ka mundësinë për të siguruar titullin e 9-të në Kupën e Amerikës së Jugut, teksa “Seleçao” do të përballet në finalen e madhe të këtij kompeticioni me Perunë, rival të cilin “verdhjeshilët” e shkatërruan që në fazën e grupeve, duke e mposhtur me shifrat 5-0.

Marketing

Ashtu si Uruguaji, që e ka fituar Copa America-n në çdonjërën prej 7 herëve që e ka organizuar në shtëpi, edhe “Seleçao” e ka koleksionuar Kupën e Amerikës së Jugut në të katër rastet kur e ka zhvilluar vetë këtë aktivitet, kështu që skuadra e Tites vetëm sa respektoi në mënyrën më të mirë të mundshme parashikimet, duke u kualifikuar për të 20-ën herë në finalen e këtij kompeticioni.

Krejtësisht e kundërta mund të thuhet për “bardhekuqtë” dhe për hir të së vërtetës askush nuk e priste përfaqësuesen peruane në takimin përmbyllës të edicionit të 46-të të këtij eventi. Brazili i Tites natyrisht përfaqëson ekipin më të mirë të këtij edicioni. Pasi kaloi Argjentinën në fazën gjysmëfinale, ekipi vendas ka një rast të artë për të triumfuar. Falë ndeshjeve jo të mira të skuadrës “albiceleste” në fazën e grupeve, u kuptua qartë që rruga e Argjentinës së Mesit drejt këtij trofeu, që i mungon prej më shumë se çerek shekulli, do të kalonte patjetër nëpërmjet vendit organizator.

Në krahun tjetër, sië dihet, Argjentina, rivali më i urryer i “Seleçaos”, e kishte mundur Brazilin në 8 nga 10 finalet e zhvilluara në këtë kompeticion, gjithsesi, pavarësisht, ankesave të futbollistëve “bardhekaltër” vendasit shënuan dy gola dhe e merituan suksesin 2-0, prandaj në këtë pjesë të globit me të drejtë kanë filluar të festojnë përpara kohe, duke patur parasysh që Uruguaji, Kolumbia dhe Kili bënë harakiri në pjesën e poshtme të shortit.

“Verdhjeshilët” nuk kanë qenë fare të pranishëm as në fazat gjysmëfinale, në tre edicionet e fundit të Kupës së Amerikës së Jugut dhe për herë të fundit e ka ngritur këtë trofe në Venezuelë, kur Brazili i Dungës mundi 3-0 Argjentinën e Alfio Baziles, sidoqoftë trofeu i vetëm për “Seleçaon” në 11 vitet e fundit mbetet thjesht një Kupë Konfederatash.

Pas dështimit në Kupën e Botës që organizuan vetë përpara pesë vjetësh, brazilianët u eliminuan që në turin çerekfinal edhe në “Rusi 2018”, gjithsesi, ekipi ndonëse është duke luajtur pa “yllin” e skuadrës, Neymar, tani ka shenja të qarta përmirësimi.
Nga fillimi i qershorit, duke llogaritur edhe miqësoret me Katarin dhe Hondurasin, Brazili ka barazuar 2 nga 7 ndeshjet e zhvilluara, por mbi të gjitha formacioni i Tites është shfaqur me një mbrojtje brilante dhe në këtë muaj nuk ka pësuar asnjë gol.

Gjatë kësaj periudhe vlen të përmendet pikërisht “shuplaka” e fortë që futbollistët brazilianë iu dhanë inkasve në Arena Corinthians, në Sao Paolo, dy javë më herët, sidoqoftë vendasit dështuan për të shënuar ndaj Venezuelës dhe Paraguajit, që në fakt janë edhe dy rastet e vetme kur seleksioni i Tites nuk ka mundur të gjejë dot rrjetën, që nga fillimi i vitit 2018, e kurioz është fakti se që nga janari i vitit të kaluar ekipi brazilian ka pësuar thjesht pesë gola gjithsej.

Në krahun tjetër, Peruja u kualifikua pa shumë shkëlqim, duke mundur vetëm Venezuelën në fazën e grupeve, e duke u ndëshkuar me 11-metërsh në 3 nga 4 sfidat e fundit. “Bardhekuqtë” nuk kanë arritur të shënojnë dot në 3 nga 5 sfidat e këtij kompeticioni, sidoqoftë “inkasit” në mënyrë surprizë eliminuan me radhë në fazën e knock out-it Uruguajin dhe Kilin, që kishte fituar edhe dy edicionet e fundit të këtij aktiviteti.

Trajneri argjentinas, Ricardo Gareca, e ka ndryshuar vërtet shumë këtë ekip, që kur mori drejtimin në shkurtin e vitit 2015. Duke llogaritur edhe këtë finale, Peruja tani numëron 3 podiume në 4 edicionet e fundit të këtij kompeticioni, gjithsesi lojtarët nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, sepse i gjithë presioni është mbi futbollistët vendas. Peruja e ka fituar 2 herë trofeun kontinental, në vitet 1939 e 1975, praktikisht në të dy rastet e vetme kur “bardhekuqtë” edhe ia kanë dalë mbanë për të shkuar deri në finalen e madhe.

Brazili ka fituar 5 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet tyre, ndërkaq Peruja numëron vetëm 4 triumfe gjithsej në historinë 83-vjeçare të 45 sfidave mes këtyre dy përfaqësueseve.
Në 19 ndeshjet kompetitive mes tyre Peruja krenohet vetëm me 1 fitore gjithsej, ndërkaq 5 takime janë mbyllur në barazim, ndërsa “verdhjeshilët” kanë fituar 13. Finalja Brazil – Peru do të zhvillohet në orën 22:00, në stadiumin e famshëm Maracana të Rio De Janeiro-s dhe do të drejtohet nga kryesori nga Kili, Roberto Tobar.