Migrimi: Qendra Zhupa – Sytë drejt perëndimit

Komunë në Maqedoninë Perëndimore. Kjo Komunë gjendet në rajonin e Dibrës dhe përfshin 23 fshatra, prej të cilëve disa prej tyre plotësisht janë zbrazur. Dega kryesore ekonomike në këtë Komunë është Hidrocentrali Shpile. Popullata kryesisht merret me tregti, blegtori, bujqësi dhe pylltari. Fatkeqësisht një pjesë tepër e madhe e banorëve të kësaj Komune, gjenden ne vendet e Bashkimit Evropian.

Marketing

Një pjesë e madhe e banorëve të kësaj Komune, që përfshinë 23 fshatra, është larguar drejt vendeve të perëndimit dhe të ardhurat që dërgojnë janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Qendrës Zhupa. Migrimi masiv i banorëve të Qendrës Zhupa ka vazhduar me intensitet të theksuar. Në fshatrat më të mëdha të kësaj Komune, siç janë, Broshticë, Papraniku i Madh e i Vogël, Novakë, Koxhaxhik e të tjera, një përqindje tepër e madhe deri në 70%, jetojnë nëpër vende të Bashkimit Evropian.

Autoritetet e Qendrës Zhupa si shqetësuese e shohin edhe zvogëlimin e numrit të nxënësve. Shifrat alarmante flasin se në dekadën e fundit numri i tyre është zvogëluar për dy herë. Kjo ilustrohet me faktin që viteve të fundit asnjëherë nuk është plotësuar kuota e paraparë e nxënësve. Para se të kaplohet nga vala e migrimit, që banorët e Qendrës Zhupa i dërgoi drejt Italisë, Gjermanisë e Zvicrës, arsimtarët e vjetër mbajnë mend se ka pasur edhe 400 filloristë.

Shkaqet kryesore që kanë detyruar një pjesë të madhe të banorëve të Qendrës Zhupa t`ia mësyjnë perëndimit, është situata aktuale në vend, ku të rinjtë nuk shohin perspektivë. Sidoqoftë, Qendra Zhupa dhe fshatrat e këtij rajoni me padurim presin pushimet. Presin Korrikun, Gushtin që të çmallen me të afërmit e tyre. Atëherë Qendra Zhupa gjallëron për dy muaj. Fatkeqësisht muajt tjerë mbretëron një zbrazëtirë që dhemb. Por, jeta më e mirë në vendet e perëndimit, duket se i ngushëllon banorët e mbetur të Zhupës. Të paktën, siç thonë, nuk duhet të shqetësohen për mirëqenien dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre. /Klan Macedoni/