Prokuroria Themelore në Prishtinë, në tetor të vitit 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj F.B, me pretendimin se ai ka vjedhur rrymën.
Kjo prokurori, e akuzonte atë se në mars të vitit 2018, ishte kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik, me çka pretendohej se i kishte shkaktuar dëm KEDS-it, në shumë prej 57.24 euro.
Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, më 31 maj të vitit 2019, e kishte caktuar seancën fillestare, mirëpo aty kishte munguar i akuzuari.
Për shkak të mungesës së tij, kjo gjykatë kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit F.B.
Por, Stacioni Policor në Podujevë, e kishte informuar gjykatën se nga kërkimet për të akuzuarin, ka rezultuar se ai ka vdekur para 14 vjetësh.
Pas marrjes së kësaj informate, jashtë seancës gjyqësore, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka marr aktvendim ku ka pushuar këtë procedurë penale.
Në aktvendimin e gjykatëses Elheme Jashari, thuhet se kompania KEDS, si palë e dëmtuar, për kërkesën pasurore juridike udhëzohet në kontest civil, ndërsa shpenzimet e kësaj procedure gjyqësore bien në barrën e gjykatës.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 31 maj 2019, aktakuzën e kishte përfaqësuar prokurorja Hava Krasniqi, ndërsa atë e ka përpiluar prokurorja Rukije Sheshivari.
Sipas kësaj aktakuze, të ngritur me 3 tetor 2018, F.B akuzohej se në fshatin Bellopojë të Podujevës, më 8 mars 2018, pas kontrollit nga ana e punëtorëve të KEDS-it, është gjetur se ai pasi ishte shkyçur nga njehsori elektrik, ishte lidhur në rrjet elektrik jashtë njehsorit, në mënyrë të kundërligjshme.
Siç thuhet në aktakuzë, KEDS-i kishte pësuar dëm material në lartësi prej 57.24 euro. Me këtë, ai ngarkohej me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 i KPRK-së.