70 tetovarë janë duke kryer punë vullnetare në Ndërmarrjen Publike të Tetovës pasi që janë dënuar në bazë të ligjit për pastërti publike. Të njëjtit janë dënuar për kundërvajtje të ndryshme në Shkup dhe kanë refuzuar që të paguajnë dënimin me të holla, ndërsa kanë pranuar që të bëjnë punë vullnetare në Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Në ndërkohë, në Tetovë asnjë tetovar nuk është i dënuar në bazë të këtij ligji për pastërti publike. Kështu ka thënë drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Xhelal Ceka, duke nënvizuar se qyteti pastrohet 6 ditë brenda javës, kurse sërish hidhen mbeturina nëpër rrugë, ndërsa qyteti nuk duket i pastër. Ai është shprehur se çdo qytetar duhet që të kujdeset për qytetin dhe pastërtinë, ndërsa nëse nuk kujdesen, të paktën të mos hedhin gjithandej mbeturina. Lidhur me akuzat e fundit të banorëve të Tetovës, për ngecje të mbeturinave, Ceka është shprehur se përqark kontejnerëve hidhen edhe pajisje të amvisërive. “Ngecja e marrjes së mbeturinave mund të ketë shumë arsye, normal një ndër arsyet e ngecjeve të marrjes së mbeturinave mund të jetë prishja e makinerisë, bllokimin e kontejnerëve nga qytetaret, nga veturat ku ne nuk mund të arrijmë dot të futemi, sidomos këtë telash e kemi nëpër disa lagje. Vendosja e veturave nëpër rrugë na pamundëson futjen e kamionëve për marrjen e mbeturinave, një rast të tillë, telashe kemi dhe në lagjen në bllokun 70 dhe në lagje tjera normale. Edhe një tjetër problem që ne kemi, është me materialet jo komunale, që po na hedhin materiale ndërtimore, inerte, bateri, frigoriferë nëpër kontejnerë që është i dedikuar kontejneri për materiale komunale”, sqaron Ceka.
Ndërmarrja publike është vetëm për grumbullimin e mbeturinave të amvisërisë dhe jo atyre tjerave, shprehet kreu i kësaj ndërmarrje i cili nënvizon se qytetarët kanë vend të posaçëm ku mund t`i hedhin këto mbetje. “Duhet ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, ndërmarrja merret me mbeturina komunale, e jo me materiale të tjera, dhe ne për të pastruar, bëjmë harxhime plotësuese duke angazhuar dhe lloje të tjera të bagerëve dhe kamionëve, për të larguar materiale të tjera, prandaj unë kam bërë shumë herë apel që kontejnerët janë për materialet komunale dhe jo për materialet e tjera, dhe ndërmarrja mban përgjegjësi për mbeturinat komunale dhe jo për mbeturinat e tjera. Në çdo pjesë të qytetit kemi hedhje të materialeve te tjera që s’kanë të bëjnë me punën tonë, prandaj kemi cekur shumë herë që tek gjelbërimi kemi lokacione të cilat qytetarët mund t’i hedhin bateritë, nuk është shumë larg, është tek hapësirat tona afër EVN-së, lirisht 24 orë është e hapur. Deri sa një qytetarë e merr veturën për të hedhur tek vendi, tek kontejnerët, e ka shume të lehtë edhe t’i hedhë deri tek vendi i caktuar”, tha drejtori Ceka.
Në ndërkohë, tashmë disa banorë në bllokun 70 kanë dërguar peticion që të largohen kontejnerët e mëdhenj në mes të lagjes, sepse aty krijohet deponi. Largim të kontejnerëve të këtillë kanë ndodhur edhe në lagje të tjera me vet kërkesë të banorëve. Në ndërkohë pamja jo e mirë është paraqitur gjatë kësaj fillim jave, pranë Gjykatës Themelore të Tetovës, ku janë hedhur edhe materiale ndërtimore. (koha.mk)