Opozita pritet që të mos heqë dorë nga protestat kundër qeverisë, pavarësisht ditëve të nxehta të verës. Dy ditë më parë opozita protestoi për të dhjetën herë para Kryeministrisë me moton “Qeveri tranzitore” dhe “Zgjedhje të lira e të ndershme”. Pas tubimi që zgjati rreth 2 orë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi në selinë blu disa takime krerët e degëve të PD dhe kolegjin e kryetarëve. Gazeta ka mësuar disa detaje nga këto mbledhje, teksa një vëmendje të veçantë i është kushtuar mënyrës se si do të vijohet me axhendën opozitare dhe përballja me qeverinë. Sipas informacioneve, mësohet se në mbledhje është vendosur që të vijohet me protestat kundër qeverisë gjatë gjithë verës. Edhe pse nuk është vendosur ende se kur do të jetë protesta e radhës kombëtare, mësohet se tubimet do të jenë si kombëtare ashtu edhe lokale. Po ashtu, mësohet se Basha ka falenderuar degët për protestën e 8 korrikut, sa i takon organizmit dhe numrit të madh të protestuesve që çuan në protestë. Por mësohet se në mbledhje disa krerë degësh që njihen si mbështetës të Berishës, kanë shprehu rezerva lidhur me mënyrën si Basha po udhëheq demokratët, sidomos në aspektin e protestave. Mësohet se ata kanë kërkuar nga kryedemokrati që të shtojë dozën e reagimit kundër qeverisë deri në mosbindje civile, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar Ramën nga pushteti. Mirëpo, në kundër përgjigje mësohet se shefi i selisë blu është shprehur qartë se ai dhe partia që drejton nuk synon të vijë në pushtet përmes protestave të dhunshme, por vetëm me mjete demokratike. Për këtë arsye, sikundër pohuan burimet, mësohet se Basha ka urdhëruar të gjithë departamentet në Partinë Demokratike që të nxitojnë me punën lidhur me programin që po harton kjo parti për t’u paraqitur para qytetarëve.
Basha nis distancimin nga Kryemadhi
Por përveç porosive që iu dha vartësve të vetë sa i takon vijimit aksionit opozitar, burime nga mbledhja theksuan se lideri demokrat është shprehur para vartësve të vetë se Partia Demokratike është e vendosur për të mos hyrë në zgjedhje për sa kohë që nuk përmbushet asnjë nga kushtet e artikuluara nga PD. Por përmes këtyre porosive, Basha tregon se ka nisur distancimin nga Kryemadhi. Kjo e fundit së bashku me të gjithë zyrtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë shprehur vendosmërinë për të hyrë në zgjedhjet lokale të 13 tetorit, të dekretuara nga presidenti Ilir Meta. Madje, LSI ka marrë në mbrojtje Metën, pas përplasjeve të këtij të fundit me qeverinë. Ndërkohë që, kryedemokrati Basha jovetëm që nuk e ka komentuar përplasjen Rama-Meta, por është shprehur se nuk hyn në zgjedhje pa u plotësuar më parë kërkesat e artikuluar nga ai. Pra, duket qartë mes Bashës dhe Kryemadhi ka një distancim nga njëri-tjetrin. Kjo u pa edhe gjatë protestës të 8 korrikut, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim treguan se janë të pakoordinuara në qëndrimet e tyre. Basha i ftoi protestuesit që t’i bashkoheshin atij në marshimin para Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit me destinacion final selinë e PD, por militantët të LSI, përfshi dhe vetëm Monika Kryemadhin qëndruan në sheshin para Kryeministrisë, duke mos iu bindur kështu urdhërit të kryedemokratit. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.