Një stuhi e fuqishme ka goditur mbrëmë Ulqinin, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha materiale.
Në disa video që kanë publikuar banorët, shihen drunjtë e rrëzuar mbi disa vetura, rrugët e vërshuara nga uji, ndërsa raportohet që stuhia ka dëmtuar edhe plazhet.
Stuhi raportohet të ketë pasur edhe në disa qytete të Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Edhe gjatë ditës së sotme pritet të ketë stuhi në qytetin e Ulqinit, ndërsa nga nesër pritet ndryshim i temperaturave, moti do të jetë i kthjellët dhe temperaturat do të sillen rreth 28 gradë celsius.
Ulqini njihet ndryshe si një prej vendeve që kosovarët e zgjedhin më së shumti për të kaluar pushimet verore, ditë më parë zyra e turizmit të këtij qyteti ka njoftuar vizitorët se duhet të regjistrohen dhe të bëjnë pagesën për qëndrimin në këtë qytet, në të kundërtën pushuesit do të dënohen nga policia me 150 euro.