Kompania Ecolog, me president Lazim Destanin, vazhdon që të ndihmojnë komunitetin e në veçanti arsimin. Kjo kompani ka vendosur që kësaj radhe të ndajë mjete për një objekt me dy klasa moderne për fëmijët me nevoja të veçanta që do të ndërtohet në oborrin e shkollës fillore “Liria” në Tetovë. Donacioni është pranuar nga ana e Komunës së Tetovës, ndërsa është miratuar edhe në këshillin e Komunës së Tetovës dhe bëhet fjalë për një donacion me vlerë prej 85 mijë euro. Këto klasa do të jenë të dedikuara për fëmijët me nevoja të veçanta që ndjekin procesin mësimor në këtë shkollë, pohuan nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës. “Në këtë shkollë janë duke mësuar fëmijët me nevoja të veçanta dhe kompania Ecolog, ka shprehur dëshirën të bëjë një investim me një objekt për dy klasa. Do të bëhet kompletimi i saj me të gjitha nevojat që kanë ata fëmijë dhe mësimdhënësit, përpos klasave do të ketë edhe hapësirë ndihmëse për aktivitete të fëmijëve, dhe ky objekt është paraparë që të ndërtohet deri në fillim të këtij viti shkollor”, tha Ahmed Qazimi.
Kompania Ecolog edhe në të kaluarën ka ndihmuar në renovimin dhe infrastrukturën e shkollës fillore “Naim Frashëri” dhe shkolla të tjera. Në shkollën “Liria” një kohë të gjatë funksionojnë paralele për nxënësit me nevoja të veçanta, ndërsa me ndërtimin e këtyre klasave të reja ata do të kenë kushte më të mira, ku do të ndjekin procesin edukativo arsimor. Paralelisht me këtë, shkolla tashmë kanë filluar edhe punët për rregullimin e hapësirave të brendshme dhe të jashtme. Sipas drejtoreshës, Samie Alili, momentalisht është duke u punuar në fasadimin e brendshëm dhe të jashtëm, janë rregulluar shkallët në brendi të shkollës dhe punime tjera. “Tashmë gjatë kësaj periudhe është duke u punuar në rregullimin e hapësirave të brendshme, lyerjen e klasave, korridorit, por edhe pjesës së jashtme. Në ndërkohë është duke u vendosur edhe ndriçimi në oborrin e shkollës dhe janë ndërruar edhe ndriçimet e brendshme të shkollës”, tha ajo.
Sipas drejtuesve të shkollës, sistemi i rrjetit elektrik është mjaft i vjetruar dhe ekziston rreziku gjithnjë që të shkaktohet zjarr në këtë shkollë. Sipas udhëheqësit të Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, problemi me rrjetin elektrik vazhdon të jetë prezent, ndërsa për këtë kompetente është Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Edhe pse shkolla fillore “Liria” në Tetovë është ndër më të vjetrat në qytet, megjithatë objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruuar në mënyrë të mirëfilltë, ndërsa reshjet e fundit të shiut në tetor të vitit 2017 shkaktuan shumë dëme në çati, duke bërë që në katin e dytë të ketë edhe vërshime dhe dëmtime të disa klasave. Më pas çatia është rregulluar, ndërsa kërkesë e kamotshme ka qenë që të ndërtohet objekt i ri, sepse ky objekt është shumë i vjetër.KOHA.MK