Papadopoulou: Kosova ka ende nevojë për EULEX-in

Në ditën e fundit të mandatit të saj në krye të EULEX-it, diplomatja greke, Alexandra Papadopoulou, thotë se mbetet e kënaqur me punën e kryer, edhe pse e pranon se pritjet – as të kosovarëve e as të vetë ndërkombëtarëve – nuk janë përmbushur. Thotë se pritjet ishin joreale, ndërsa tregon se shumë prej sukseseve që ka arritur misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kanë mbetur në hijen e perceptimit negativ për dështimet në adresimin e korrupsionit dhe krimeve të luftës, shkruan sot Koha Ditore.

Marketing

Në intervistën ekskluzive dhënë “Kohës Ditore”, Papadopoulou, e cila largohet nga misioni për të zënë vend në kabinetin e kryeministrit të ri të Greqisë, thotë se gjatë punës këtu ka identifikuar shumë prej defekteve të gjyqësorit kosovar, dhe një numër sosh kanë nisur të adresohen prej institucioneve. Beson se EULEX-i duhet të mbetet në Kosovë, sepse ka ende rol për të luajtur.

Në lidhje me krimet e luftës ajo zbulon se problemi kryesor kohë të gjatë ishte fakti që ligjet kosovare pamundësonin gjykimin në mungesë, por se tani, që kjo gjë është adresuar, janë shumë raste të krimeve të luftës që kanë kryer serbët e që EULEX-i i ka bartur tek autoritetet lokale, dhe këto tashmë nuk ka pengesë të gjykohen në Kosovë.

Në fund, Papadopoulou thotë se largohet nga Kosova e trishtuar dhe e brengosur për shkak të largimit të njerëzve nga vendi.

K.D.: Ju faleminderit për intervistën me ne në ditën tuaj të fundit këtu. Na vjen keq t’ju shohim tek largoheni, por po ashtu duam të shohim progres. Çfarë mund të na thoni për tre vjetët e fundit sa ishit këtu. Kanë kaluar 3 vjet që prej se jeni emëruar, kurse për misionin janë bërë më shumë se 10 vjet që prej se ai ka ardhur këtu – pra cili është vlerësimi juaj?

Papadopoulou: Ju faleminderit shumë që më dhatë mundësinë të flas me ju, dhe përmes jush me qytetarë të cilët do të gjejnë kohë për ta lexuar atë që unë kam për ta thënë lidhur me rolin e për punën e EULEX-it dhe për gjendjen e përgjithshme në Kosovë dhe në sundimin e ligjit. Para së gjithash, le të kthehemi 10 vjet mbrapa. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej se EULEX-i ka nisur punën dhe një gjë është e padiskutueshme: është bërë progres.