Ramadani: Priten politika konstruktive nga fqinjët

Qeveria Micotakis, nuk do të zhvillojë politikë tensionuese dhe nuk do të krijojë mosmarrëveshje të reja me Maqedoninë e Veriut, në drejtim të implementimit të Marrëveshjes së Prespës, të cilat mund të nxjerrin paqartësi në Samitin e Tetorit kur do pritet vendim për negociata me Maqedoninë e Veriut, thotë analisti politik dhe këshilltar në kabinetin e kryeministrit Zaev, Ismet Ramadani.

Marketing

Kryeministri grek Micotakis sipas sipas Ramadanit, ka mundësi juridike vetëm të ndryshojë interpretime në disa pjesë ku i lejon Marrëveshja e Prespës. Por si dokument dypalësh me garancë ndërkombëtare, nuk mund të mos jetësohet.

“Ai do të tentojë ndoshta në interpretim të marrëveshjes, në ecje të jete më restriktiv ose do të bëjë ndonjëherë interpretime siç i konvenon qeverisë së tij, mirëpo në marrëveshje çdoherë ka mundësi që interpretimet të cilat krijojnë mosmarrëveshje të filtrohen ose riinterpretohen nëpërmjet OKB-së, Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës dhe gjitha këto të ndihmuara nga shtet që kanë rol, ashtu që pa marrë parasysh pengesave, Marrëveshja e Prespës do të implementohet”, u shpreh analisti politik Ismet Ramadani.

Edhe në raport me Bullgarinë Ramadani nuk pret komplikime. Për figurat historike sipas tij do të gjendet kompromis mes dy kryeministrave Zaev dhe Borisov, nën mbështetjen e marrëveshjes për fqinjësi dhe bashkëpunim mes vendit tonë dhe Bullgarisë.

“Më e ndjeshme është faza më e re ose historia me re me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarisë. Ka elemente të cilat ndonjëherë na japin të mendojmë se mund të prishen raportet fqinjësore, mirëpo kam besimin se edhe kryeministri Zaev edhe Borisov janë udhëheqës të cilët do të kenë kujdes që kjo Marrëveshje të jetojë mes këtyre dy shteteve dhe sigurisht kompromisi do të jetë që të gjitha këto figura kontestuese të them do të gjejnë vend vetëm në kompromis me bisedime, dhe fakte”, theksoi Ramadani.

Ndërkohë, autoritetet e vendit japin sinjal se në tetor vendi do të merr datë për fillimin e bisedimeve, për çka kanë paralajmëruar dhe një ofensivë diplomatike me vendet e BE-së, për ti bindur sidomos shtetet skeptike në dhënien e datës për fillimin e negociatave.