Lidhur me hetimin e ngritur nga ana e Prokurorisë së përgjithshme për rastin “ZHVATJA”, kryeministri Zaev është shprehur se duhet respektuar prezumimi i pafajësisë, por njëkohësisht të gjitha indiciet dhe dëshmitë duhet patjetër të procesuohen deri në fund, për t’u dëshmuar faji apo pafajësia e cilitdo të përfshirë në hetimin e ngritur.
Kryeministri në intervistën dhënë Agjencisë e lajmeve MIA, thotë se hapja e këtij rasti po dëshmon luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe kjo, sipas tij, është një tregues se gradualisht po kthehet besimi në shtetin juridik dhe sundimin e së drejtës.
Sipas tij, është rastësi që në të njëjtën kohë një ditë më parë ndodhi dorëheqja e kryeprokurores speciale, Katica Janeva, nga njëra anë, dhe ngritja e hetimit nga ana e Prokurorisë Publike për rastin “Zhvatja”.
Ashtu siç është shprehur edhe prokurorja, Villma Trajokovska, Janeva nuk është pjesë e hetimit, megjithatë celulari i është konfiskuar me qëllim të konfirmimit të komunikimit eventual mes Janevës dhe të dyshuarit të parë, Bojan Jovanovskit, theksoi Zaev. Është prokuroria ajo e cila duhet të tregojë nëse Janeva ka qenë e manipuluar apo e involvuar, tha Zaev.
“Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj, pa dallime. Në këtë rast ka tashmë 2 të dyshuar dhe sa kam dëgjuar në media është konfiskuar dhe celulari i prokurores speciale, Katica Janeva, për të dëshmuar se a ka lidhje mes Katica Janevës dhe të dyshuarit të parë. Sipas meje, Prokuroria Publike duhet të vërtetojë se a ka qenë e manipuluar ajo në gjithë këtë proces. Kjo është konkretja që duhet të thuhet, sepse ka keqpërdorime të argumenteve, që dikush të bën konstruksione politike”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev thotë se hapja e rastit “Zhvatja” nënkupton që vendi ka sistem të organizuar, i cili po e kryen punën e tij. Ai u bëri thirrje edhe biznesmenëve të tjerë nëse janë target i rastit në fjalë, ta paraqesin të njëjtin në Prokurori, sepse dëshmitë dhe argumentet kontribuojnë për dhënien e një pasqyre më të qartë të zhvillimit të ngjarjes.