Ministrat e Financave të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, do të vendosin si prioritet të tyre, çështjen e monedhës digjitale të Facebook-ut, të quajtur Libra.
Ministrat e vendeve me ekonomitë më të fuqishme në botë, do të takohen gjatë kësaj jave në Francë. Ata pritet të trajtojnë rreziqet që mund të paraqiten nga planet e Facebook-ut për të vënë në qarkullim monedhën digjitale.
“Linja e kuqe për ne është se Libra nuk duhet të transformohet në një monedhë sovrane”, ka thënë ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Kompania e mediave sociale “Facebook”, në muajin qershor, zbuloi planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.
“Facebook” tha se njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën nëpërmjet aplikacioneve të tyre, si dhe përmes shërbimit të mesazheve “WhatsApp”.
Kompanitë e pagesave Uber dhe Visa gjithashtu kanë të ngjarë të pranojnë atë në të ardhmen, njoftoi kompania.