Prokurorja Ruskovska konfirmoi se kryeministri Zaev e ka denoncuar zhvatjen nga “Boki 13”

Shefja e Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskovska për gazetën “Nezavisen” (E pavarur) ka bërë të ditur se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka qenë i pari që e ka denoncuar rastin e zhvatjes së biznesmenëve nga “Boki 13”, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Kjo deklaratë e Ruskovskës e vërteton deklaratën e Zaevit që u tha dje, se “ka qenë pikërisht ai që e ka denoncuar rastin”.

Zaevi ka dashur vetë të ngrit kallëzim penal, por PTHP-ja e ka këshilluar që një gjë e tillë të bëhet nga vetë dëshmitari, për të cilin jozyrtarisht thuhet se është biznesmeni Orçe Kamçev, i dyshuar në lëndën e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), “Perandoria”.

“Kryeministri gojarisht na ka njoftuar mua dhe prokurorin publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe ka shprehur gatishmërinë që të vijë dhe të dorëzojë kallëzim penale me shkrim. Ne e kemi këshilluar dëshmitarin të vijë në Prokurori ta denoncojë”, tha Ruskovska.
Përndryshe, në lëndën për zhvatjen të dyshuar janë dy persona, Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoran Kiçeec se kanë zhvatur biznesmenë nëpërmjet prokurorit publik, i cili jo zyrtarisht thuhet se është shefja e PSP-së, Katica Janeva.

Ndryshe, Katica Janeva, të cilës iu konfiskua telefoni mobil për këtë rast, dje ka njoftuar në PSP se është në pushim mjekësor.