Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se janë institucionet përkatëse ato që duhet të thonë fjalën e fundit rreth përfshirjes së dyshuar në një rast marrje ryshfeti nëpërmjet zhvatjes të kryeprokurores speciale, Katica Janeva. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Xhaferi tha se në rast se vërtetohet përfshirja, efekti do të ishte domino, pasi do të krijonte problem për të gjitha çështjet që ka trajtuar Specialja. Por, megjithatë kërkon që të lihen institucionet të thonë njëherë fjalën e tyre.
“Efekti domino mund të ekzistojnë nëse verifikohet implikimi i personave të dyshuar në veçanti i prokurores, e cila nuk do mend se ka implikim, pasi atëherë do të ketë problem për gjithë punën e bërë, sado të jetë në nivel të duhur puna paraprake e PSP-së. Por, përfshirja apo implikimi i drejtpërdrejtë eventual i saj, do të linte një njollë të zezë në gjithë procedurën paraprake të udhëhequr nga kjo prokurori. Por, megjithatë them se duhen lënë institucionet përkatëse të bëjnë punën e të dilet me qëndrimin e prerë nëse ka apo jo implikim të prokurores në këtë rast”,-deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ligji i PThP-së dhe fati i PSP-së, Xhaferi: Duhet shumë punë për të siguruar votat
Dyshimet ndaj Janevës në këtë rast kanë shtuar akuzat e opozitës ndaj qeverisë. Rasti i fundit nuk i ndihmon qetësimit të situatës. Megjithëse Xhaferi thotë se Kuvendi i ka dy të tretat e votave për reformën në drejtësi dhe pakon e ligjeve të sigurisë, fati i PSP-së për të cilin opozita nuk lëshon pe, do të jetë vendi ku, sipas tij, “do thyhen shigjetat” mes pushtetit dhe opozitës.
“Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit përkatës është tanimë në debat mes subjekteve politike. Por, ka edhe propozim për plotësim të Ligjit për PTHP-në ku ndoshta si pasojë e rastit të fundit, do të duhet të bëhet edhe plotësimi dhe sanskionimi plotësues i normave të ligjit që është në procedurë, e në këtë drejtim do të duhet të punohet që të sigurohet shumica e nevojshme”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi thotë se tashmë Kuvendit i duhet të futet në një procedurë të hartimit të Ligjit të ri për PSP-në që do të rregullonte, sipas tij, të gjitha aspektet që dolën në sipërfaqe me rastin e fundit.