Konfiskohet pasuria e kompanisë “Transmet”, plot 19 milionë euro

Tash 10 ditë Agjencia për menaxhim me prona të konfiskuara vepron sipas vendimit gjyqësor për konfisikimin e pronës së kompanisë “Transmet” të Sead Koçan. Vendimi është i ndërlikuar, thotë drejtori i Agjencisë, Faton Asani, pasi shteti duhet të konfiskojë pronë në vlerë prej 19 milionë euro, siç thuhet në vendimin e gjyqit. Fillimisht janë përgatitur vendime për bartjen e pronave të patundshme nga kompania “Transmet” në emër të Agjencisë. Nga gjithsej 26 patundshmëri, vetëm 3 janë lënë peng në bankë, ndërsa për 23 tjerat e mbetura, Asani shpreson se Kadastra së shpejti do bëjë ndryshimin e pronësisë, nga privat në pronësi shtetërore.

Marketing

E përmenda vetëm pronën e patundshme, banesa, tokë, hapësira afariste. Ka edhe 204 automjete që ne tani i dërguam të verifikohen në Regjistrin Qendror, pasi ka dokument që 24 automjete që janë me vlerë më të lartë janë lënë peng në disa banka- deklaroi Faton Asani, drejtor i Agjencisë për Menaxhim e Pasuri të Konfiskuar.

Një nga pyetjet për Asanin ishte, nëse pengu i lënë në banka për pasurinë që është lëndë e konfiskimit mund të jetë problem gjatë konfiskimit?

Nëse kamionët e njëjtë janë lënë peng në bankë, do duhet të ulemi edhe me përmbaruesit pasi ka paralajmërime edhe nga përmbaruesit që duan të ulen me ne në takim pune dhe t’i konkretizojmë ato punë- theksoi Faton Asani.

Në një pjesë të mekanizimit të “Transmet” që është lëndë konfiskimi, shpreson edhe ELEM, si palë e dëmtuar. Por Agjencia do presë të përfundojë procesi i konfiskimit dhe më pas do vendosë nëse prona do dhurohet ose do shitet në ankand. Nga Gjykata Penale edhe sot e përsëritën përgjigjen se gjykatësi për zbatimin e sanksioneve ende nuk ka marrë vendim ndaj kërkesës së Sead Koçanit për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për shkak të sëmundjes. Koçan dje duheshe të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin.