“Çdo kush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pranuar, kërkuar dhe për të dhënë informata dhe ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje. Pranimi i lirë i transmetimit tejkufitar, qoftë i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të ritransmetimit apo riemetimit nuk ndalohet në baza të gjuhës. Ushtrimi i kësaj lirie mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla, që janë në pajtueshmëri me traktatet ndërkombëtare obliguese të të drejtave të njeriut.
Këto të drejta kanë të bëjnë me të drejtën e jetës, e cila mbrohet me ligj dhe lirinë e barazinë ndërmjet njerëzve. Këtë e gjejmë në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, këtë e gjejmë në librat fetarë, qoftë edhe në librat e shkencës, artit dhe kulturës, që thuhet se të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi!
Si qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoh zhvillimin e këtij shteti multietnik, në çështjet e të drejtave të komuniteteve që i përkasin vendit. Si student i Universitetit të Vjenës njoh të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave të tyre, në atë kryeqytet. Studimet e mia të larta janë kryekëput mbi konfliktin në Maqedoni, që opinioni është i njohur për këtë periudhë historike e të dhimbshme, e cila ka lënë gjurmë dhe vazhdon të kujtohet në rast të mosmarrëveshjes mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të mosrespektimit të të drejtave dhe ligjeve të miratuara.
Pikërisht sot është arritur shumëçka nga faktori politik shqiptar, si mundësia për të qenë i lirë, shqiptari, në këtë shtet, mundësia e çeljes së shkollave shqipe, valëvitja e flamurit në komunat me shumicë shqiptare etj. Këto të drejta çojnë në barazi dhe integritet të shqiptarit, i cili edhe është shtetformues pas konfliktit të vitit 2001. Edhe përskaj kësaj pozite, shqiptari ka “luftuar” edhe më tej për të drejtat e tyre. Dhe pas 17 viteve përpjekje u arrit miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës (që e Flasin së Paku 20 % e Qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut), respektivisht gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare dhe përdorimi i alfabetit të saj në pajtim me ligjin. E thotë vetë Ligji që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase, është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj. Këtë nismë e përkrahim të gjithë ne.
E këta misionarë shqiptarë, të miratimit të Ligjit, kanë arritur qëllimin e një të drejte të madhe për popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E dashamirët e kësaj gjuhe të ëmbël, të dëlirë, që lehtëson komunikimin dhe me alfabetin e saj përfundimin e punëve përmes dokumenteve në administratën shtetërore, duhet të vazhdojnë misionin e miratuesve të Ligjit dhe të rilindasve, të të parëve tanë.
Prandaj, për realizimin e qëllimeve të këtij ligji, për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare shqipe u themelua Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, si përgjegjëse për standardizimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe dhe ndihmesë për mbështetjen e institucioneve në shtetin tonë, për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Roli i Agjencisë tashmë është bërë i njohur për opinionin e gjërë, përmes mediave, Kuvendit dhe leximeve legjislative. Edhe pse është kohë e shkurtër miratimi i saj, njëkohësisht vonohet zbatimi i këtij ligji. Prandaj, besoj dhe them se respektimi i dispozitave të këtij ligji ndihmon funksionimin më mirë të shtetit dhe sjell harmoni dhe barazi mes etniteteve.
Njëkohësisht, roli i zbatimit të ligjit, ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës. Respektimi i drejtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pra gjuhës shqipe duhet të flasë në të njëjtën gjuhë, me atë maqedonase (apo evropiane) pasi integrimi aktual i RMV-së kalon vetëm përmes së drejtës, ligjeve dhe përafrimit të tyre me të drejtën evropiane.” – shprehet Sela.