Kjo është letra e plotë e dorëheqjes së Haradinajt, përmendet taksa e ushtria

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka publikuar deklaratën e plotë të tij pas dorëheqjes nga posti i tij.

Marketing

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka publikuar deklaratën e plotë të tij pas dorëheqjes nga posti i tij.

Në letrën e tij thuhet se nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe nuk duhet të poshtrohet asnjëherë, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, pastërtia e tij dhe e luftë së UÇK-së nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Madje në letrën e tij Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi, dhe se Ushtria e Kosovës do të shkojë para.

Kjo është letra e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Të nderuar qytetarë,

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.