Dyshoj se beteja e Skënderbeut nuk është me UEFA-n, por me një zyrë në Federatën Spanjolle të Futbollit”. Kështu është shprehur dje në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi presidenti i skuadrës së Skënderbeut të Korçës, Ardian Takaj, i cili për herë të parë zbulon edhe një shqiptar në atë që ai e quajti komplot kundër klubit korçar. Ky qëndrim i Takajt vjen pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS) që la në fuqi ndëshkimin e dhënë nga UEFA me 10 vjet pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare dhe 1 mln euro gjobë. Numri 1 i klubit korçar drejtoi gishtin nga ish Sekretari i FSHF-së Eduart Dervishi, i cili aktualisht punon në Federatën Spanjolle të Futbollit, teksa shton se ky i fundit, në bashkëpunim me spanjollin Emilio Garcia, që është Shef i Integritetit dhe Disiplinës në UEFA. “Ne jemi njoftuar për dënimin në dhjetor të 2017-ës, në zyrat e FSHF-së, ndërsa UEFA e publikoi vetëm në mars të vitit të ardhshëm. Nisëm negociatat me UEFA-n dhe spanjolli Garcia më propozoi në një takim, një pezullim 5-vjeçar dhe 250 mijë euro gjobë. Këtë ide e kisha dëgjuar më herët të qarkullonte në kafenetë sportive të Tiranës dhe pyeta Garcian për këtë, por ai mu përgjigj shkurt: Ke të fala nga Eduart Dervishi. Unë jam i bindur se për dënimin e Skënderbeut kanë punuar vetëm dy persona dhe çelësat e asaj zyre ku është gatuar çështja, i ka Eduart Dervishi”, u shpreh Takaj. Presidenti i Skënderbeut shtoi se në të gjitha seancat e përballjes me UEFA-n kishte nga një spanjoll në trupën e gjyqtarëve, teksa tregoi se në seancën në CAS ndodhën shumë gjëra që rritën optimizmin tonë për të fituar. “Në Apelin e UEFA-s, kryetar ishte një spanjoll, por pas ankimimit tonë, e kaluan anëtar. Edhe në CAS, njëri prej 3 gjyqtarëve ishte spanjoll dhe ne nuk kishim shumë besim, por mënyra se si rrodhën ngjarjet na bëri shumë optimist. Ishin vetë gjyqtarët e CAS-it, që gjatë procesit, rrëzuan të gjitha pretendimet e UEFA-s dhe dëshmitë, gjë që na bëri të ishim optimist për fitoren e çështjes, por ndodhi e kundërta. Dyshoj se beteja e Skënderbeut nuk është me UEFA-n, por me një zyrë në Federatën Spanjolle. Dosja jonë është plotësuar në aksin “Tiranë-Madrid-Nion”, pasi ka pasur edhe këtu miq të Dervishit, të cilët kanë plotësuar dosjen me opinionet e tyre”, shtoi më tej numri një i klubit korçar. Takaj nuk la pa përmendur as email-in kërcënues që shkoi ndaj inspektorëve të UEFA-s, të cilin e quajti pjesë të inskenimit për të dëmtuar korçarët, ndërsa shtoi se hetimet për burimin nga doli ai mesazh, kanë ngecur në Tiranë. “Kur shkoi email-i, ne po negocionim me UEFA-n për minimizim të dënimit, por pas atij mesazhi kërcënues, marrëdhënia jonë me ta u ndërpre komplet. Nisëm të kërkojmë për burimin e email-it në rrugë ligjore dhe bëmë denoncim në prokurorinë e Korçës, ndërsa pas disa ditësh, çështja kaloi në Tiranë, ku në mënyrë të çuditshme, u la në harresë. Burimet tona na kanë konfirmuar se email-i është nisur nga Tirana, jo nga Korça. Klubi i Skënderbeut përfaqëson një qytet me nivel të lartë kulture e traditash dhe zyrtarët e këtij ekipi nuk kanë kërcënuar askënd, madje ju vetë jeni dëshmitarë që jemi sjellë në mënyrë tejet korrekte”, nënvizoi presidenti i ekipit korçar. Më tej, Ardian Takaj konfirmoi se çështja do të vazhdojë në Gjykatën Federale në Zvicër, ndërsa garantoi sportdashësit korçarë se futbolli në qytetin juglindor do të vazhdojë të ekzistojë dhe se qyteti do të përfaqësohet nga një skuadër e denjë. “Që në fillim të çështjes, studioja ligjore që na përfaqëson, theksoi se do të gjejmë drejtësi vetëm në Gjykatën Federale të Zvicrës dhe natyrisht që do ta bëjmë ankimimin tonë edhe atje. Me këtë çështje po merret tani zyra ligjore që na përfaqëson, pasi gjetja e drejtësisë është shndërruar në një mision për ne. Sa i përket të ardhmes së klubit, besoj se do të vazhdojmë të mbajmë një skuadër konkurruese, pasi Korça e meriton të ketë futboll dhe një ekip të denjë që ta përfaqësojë”, përfundoi presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj.