Avokati, Arianit Koci ka bërë të ditur se një klient i tij, i ftuar nga Gjykata Speciale do të intervistohet në hotelin ku do të qëndrojë.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, len përshtypjen e joseriozitetit.
“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndroj.
Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e joseriozitetit.
Po ashtu, besoj që po trajtohemi në mënyrë të padinjitetshme”, ka shkruar Koci në Facebook.
Koci është kontaktuar nga lajmi.net, mirëpo nuk ka dashur ta bëj publik emrin e personit në fjalë.
Theksojmë se së fundi, nga Specialja është ftuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj i cili dy ditë më parë dha dorëheqje nga kjo pozitë.