Zaev: Fqinjësia e mirë vazhdon, s’ka kthim mbrapa

– Marrëveshja e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë solli shumë përfitime pozitive për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë dhe i dha fund një sistemi që helmonte marrëdhëniet mes dy vendeve. Faktet historike lidhur me historinë tonë të përbashkët janë të qarta dhe s’ka ikje nga kjo. Komisioni duhet të përfundojë punën e tij për çka ka mbështetje nga unë dhe nga Bojko Borisov, shprehet kryeministri Zoran Zaev në intervistën për BGNES-in.

Marketing

Ai, në intervistë, mes tjerash, thekson se Korridori 8duhet të realizohet përfundimisht, e para së gjithash hekurudha që do të lidhë Shkupin dhe Sofjen. Zaevi u përqendrua edhe në rolin e Kishës Ortodokse Bullgare në zgjidhjen e problemit me statusin e Kishës Ortodokse Maqedonase.

Marrëveshja e miqësisë pas dy vitesh

Kryeministri Zaev thekson se shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtim pozitiv në dy vitet e fundit që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së miqësisë dhe fqinjësisë së mirë, dhe pret që kjo të vazhdojë.

– Bullgaria mund të na ndihmojë shumë në procesin e integrimit evropian dhe tashmë na ndihmon shumë. Ajo ishte e para që luftonte me Komisionin Evropian që të marrim datë për fillimin e bisedimeve. Bullgaria ka ndarë gjithë përvojën e saj në procesin e bisedimeve për aderim. Ishte një nga vendet e para që ratifikoi Protokollin e anëtarësimit në NATO. Bullgaria ka dëshmuar miqësinë e saj. Besoj se edhe ne dëshmojmë të njëjtën gjë.

Sipas tij, marrëveshja i dha fund sistemit, që ishte vendosur pas vitit 1945 dhe për dekada të tëra helmonte marrëdhëniet dypalëshe.

– Në të dyja vendet ekzistojnë struktura që nuk i gëzohen asaj që po ndodhë, ata janë pjesë e së kaluarës, ndërsa ekzistojnë edhe struktura që janë më shumë të orientuara drejt lindjes, shprehet kryeministri Zaev.

Ai bën të ditur se në dy vitet e fundit është arritur përparim i madh në tregti dhe bashkëpunimin kulturor. Vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2018, tregtia dypalëshe ka shënuar rritje për 16.95 për qind krahasuar me vitin 2017.

– Kjo është një përqindje e madhe dhe flet për mundësitë që kemi krijuar për bashkëpunimin ekonomik, tha Zaev.

Është intensifikuar edhe bashkëpunimi kulturor – produksione teatrore bullgare u vendosën në Maqedoni dhe anasjelltas – ato maqedonase në Bullgari, ndërsa ka edhe ngjarje të tjera që kontribuojnë në afrimin e dy popujve.

Korridori 8 është një proces i pakthyeshëm

Për lidhjen infrastrukturore dhe Korridorin 8, Zaevi tha se është një proces i pakthyeshëm dhe se pala maqedonase punon në mënyrë shumë aktive në këtë drejtim. Para së gjithash, ndërtimi i linjës hekurudhore nga Kumanova deri te kufiri bullgar, e cila duhet të lëshohet në përdorim më së voni deri në vitin 2025.

Maqedonia siguroi 580 milion euro për ndërtimin e linjës hekurudhore nga Kumanova deri në kufirin bullgar. Me këtë do të kemi linjë të përfunduar hekurudhore nga Shkupi deri në Sofje. Afati i fundit për vënie në përdorim është më së voni deri në vitin 2025. Faza e parë tashmë është duke u ndërtuar intensivisht. Momentalisht jemi duke iu afruar fazës së dytë, për të cilën kemi marrë një grant prej 68.7 milion euro nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor … Faza e tretë është më e madhe dhe kushton 405 milion euro. Për të kemi një grant prej 60 milionë euro nga IPA dhe një kredi prej 345 milion euro. Kemi lidhur arrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto janë para të mëdha për Maqedoninë, tha Zaevi.
Ai shtoi se paralelisht po ndërtohet një rrugë me shpejtësi të lartë nga Kumanova deri në kufirin bullgar. – Rruga do të përfundojë për dy vjet dhe më nuk do të duhet të udhëtojmë nëpër rrugë me vrima kur duam të shkojmë në Sofje apo Shkup, shprehet Zaevi.

Për historinë e përbashkët

Lidhur me ngjarjet historike dhe festimin e tyre të përbashkët, Zaevi pret që komisioni i përzier i ekspertëve të vazhdojë punën dhe së shpejti të ketë rezultate për çështjet e diskutueshme.

Komiteti për çështje Historike është themeluar për të ndërtuar miqësi mes dy kombeve. Unë, së bashku me kryeministrin bullgar Bojko Borisov, inkurajojmë historianët që të bëjnë punën. Ne tashmë jemi dakorduar për disa figura të rëndësishme historike – vëllezërit e shenjtë Kirili dhe Metodi, Shën Naumin, Shën Klimentin, Mbretin Samoil. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen, po ndërtojmë miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. Në një kontekst të tillë, komisionet duhet vetëm të sendërtojnë këtë, tha kryeministri Zaev, duke shtuar se është i bindur se komisioni në shtator do të japë rezultate për çështjet e hapura.

KOB-i me kontribut të paçmueshëm

Në intervista përqendrohet edhe në rolin e Kishës Ortodokse Bullgare në zgjidhjen e problemit me statusin e Kishës Ortodokse Maqedonase.

Kisha Ortodokse Bullgare ndërmori hapa të guximshëm në lidhje me Kishën Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatën e Ohrit. Peshkopët bullgarë vizitojnë kishat maqedonase, ndërsa peshkopët maqedonas – ato bullgare. Qytetarët tanë, të cilët janë besimtarë, duke parë se bashkëpunojnë mirë, mbështesin këtë miqësi, thekson Zaevi.

Ai shton se Maqedonia e Veriut si shtet sovran ka të drejtën e një kishe të veçantë dhe të pavarur.

Ardhmëria e Marrëveshjes së Prespës

Lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe pritjet nga qeveria e re në Greqi, Zaevi i vlerëson si pozitive sinjalet e para që vijnë nga kryeministri i sapozgjedhur grek Kirijakos Micotakis.

– Kur marrëveshja u ratifikua, ai tha se ishte kundër tij, por nëse parlamenti grek e ratifikon, dhe ky është ratifikim ndërkombëtar, duhet të shikojmë përpara. Besoj se me kalimin e kohës, marrëveshja do të japë përfitime pozitive për Maqedoninë e Veriut edhe për Greqinë, tha kryeministri maqedonas.

Ballkani nuk është fuçi baroti, por rajon evropian

Kryeministri rikujton se e kaluara e Ballkanit tregoi se çfarë do të thotë ndryshimi i kufijve – vdekje, shkatërrim dhe refugjatë. Sipas tij, rajoni ka ndryshuar dhe nuk është më fuçi baroti.

Ballkani u bë rajon evropian. Secili duhet të gjejë zgjidhje pozitive për problemet. Ne dhamë një shembull për këtë me marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë. Besoj se edhe vendet tjera duhet të lëvizin në këtë drejtim, shprehet Zaev.

Maqedonia e Veriut mbështet zgjidhje që do të ndërtojnë miqësi dhe paqe të qëndrueshme, me çka do të sigurohet bashkëpunim më i madh rajonal dhe integrim të gjithë rajonit në BE. “Kjo është një zgjidhje që do të garantojë siguri për shqiptarët dhe serbët, si dhe për të gjithë popujt tjerë që jetojnë në Ballkan”, tha Zaevi.

Rasti “Reket”

I pyetur për rastin “Reket” dhe informatat e publikuara në mediat se Sofja gjoja kërkon të mbrohet biznesmeni Orce Kamçev i cili është nën hetim, Zaevi pohon se nuk ka diçka të tillë.

– Bojko Borisov në asnjë rast nuk më thirri për biznesmenin maqedonas Orce Kamçev, i cili është nën hetim. Ai nuk do të lejonte një gjë të tillë, sepse ai është një kryeministër evropian dhe e respekton sundimin e ligjit. Ne jemi një vend evropian dhe duam të flasim për të ardhmen dhe të bëjmë një politikë moderne. Kjo është një politikë që e bëjnë Makroni dhe Merkel, një politikë e orientuar drejt së ardhmes, që u jep të rinjve perspektiva, përfundoi kryeministri Zoran Zaev në intervistën për BGNES-in.