Presidenti i kompanisë Dauti Komerc, Xhemail Dauti gjatë takimit që ka realizuar presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ka kërkuar nga ai që të përfshihen më shumë në politikat ekonomike me qëllim të përmirësimit të klimës së biznesit në vendin tonë dhe të qëndrojë autonom komfor pozitës kushtetuese larg ndikimit të forcave politike në interes të vendit dhe mirëqenies shoqërore. Ai gjithashtu ka kërkuar nga Presidenti që të angazhohet në krijimin e konceptit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe ideve si dhe të angazhohet në heqjen e barrierave kufitare me shtete fqinje si dhe të bëhet unifikimi i tarifave doganore me shtetet e rajonit dhe më gjërë .
Nga ana tjetër presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, është pajtuar me kërkesat e Xhemail Dauti, dhe është zotuar se do të punojë në kuadër të kompetencave të tija për përmirësimin e klimës së biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe se të gjitha vërejtjet e komunitetit të biznesit do të merren parasysh. Ai gjithashtu ka konstatuar se investuesit e huaj përmirësojnë imazhin e shtetit, por janë ndërmarrjet vendore ato që nxisin rritjen ekonomike.Për të është e nevojshme pikërisht që investuesve vendorë t’u ofrohen kushtet e njëjta si atyre të huaj.
“Zhvillimi më i madh ekonomik në mënyrë dominante vjen nga investitorët e brendshëm. Investitorët e huaj janë të nevojshëm veçanërisht në pjesën e brendeve të njohura të cilët ndryshojnë perceptimin për vendin tonë. Pra, patjetër duhet të keni një kompani multinacionalë, që kur do të vijë në shtetin tonë do të thotë që ky shtet është i sigurt për investim. Por, sërish them se nuk duhet të qëndrojmë në atë se nëse nuk i kemi të huajt kemi dështuar. Duhet të ketë një trajtim të barabartë”,- tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Vizita e Presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, ishte vizita e tij e parë që ia bëri OEMVP-së, pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit.