Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski kërkoi hetim të hollësishëm për prokuroren speciale publike Katica Janeva dhe për relacionin e saj me dy të akuzuarit në rastin “Zhvatja”.
Mickoski në konferencën për shtyp në selinë e partisë kërkoi edhe hetim të hollësishëm për lidhje direkte ose indirekte për prokurorët tjerë, por edhe me pseudonimet për të cilat, siç bëri të ditur, opinioni ka njohuri se janë pjesë e pushtetarëve të LSDM-së.
Paralajmëroi se do të përgatisin zgjidhje të tyre ligjore për prokurorinë publike e cila, siç tha, do të bazohet në themelet e vërteta dhe luftës së pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
Duke folur për Ligjin për prokurori publike, Mickoski tha se me propozimin e LSDM-së, prokurorja speciale publike Katica Janeva duhet të avancohet në prokuror republikan publik, ndërsa prokurorët tjerë të Prokurorisë Speciale Publike të merren nga prokuroria e re për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë e cila duhet të formohet.
Kjo, tha Mickoski, është shkelje e rëndë e Ligjit për PSP i cili parasheh që këto prokurorë pas përfundimit të mandatit të kthehen në prokuroritë amë.
Propozimi i VMRO-DPMNE-së është që këto prokurorë pas ndërprerjes së mandatit të kthehen në prokuroritë amë.
“Propozimi i VMRO-DPMNE-së është që të gjithë prokurorët sipas ligjit për PSP të kthehen në prokuroritë amë pas kalimit të mandatit, hetim të hollësishëm për rastin e turpshëm Reket, kontrollim të përfshirjes së Katica Janevës, relacioni i saj dhe lidhja me dy të dyshuarit të cilët gjenden tani në paraburgim, por jo edhe më pak i rëndësishëm relacioni i saj me pseudonime të caktuara për të cilat opinioni spekulon se janë pjesë e pushtetarëve”, tha Mickoski.
Në lidhje me lëndët e PSP-së, propozimi i VMRO-DPMNE-së është që të gjitha lëndët deri më 30.06 2017, në vend që të merren nga prokuroria e re, të merren nga prokurori shtetëror publik dhe të dërgohen atje ku këto vepra përkasin. VMRO-DPMNE-ja propozon edhe pavarësi financiare të të gjithë prokurorisë shtetërore. (koha.mk)