“360 Shkallë”: Katica Janeva ka urdhëruar “fshirje forenzike”, demantuan nga PSP-ja

Pasi që “360 Shkallë” publikoi informacionin se shefja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva ka urdhëruar “fshirje forenzike” të kompjuterëve, nga PSP-ja kanë demantuar informatën, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Katica Janeva ka kërkuar që të punësuarit e sektorit të Teknologjisë Informatike (TI) të realizojnë të ashtuquajturin “fshirje forenzike” të kompjuterëve të Prokurorisë Speciale Publike”, njoftuan nga “360 Shkallë”, të cilët shtuan se urdhrin Janeva e ka dhënë në mënyrë gojore, dhe se për të njëjtën veçmë janë realizuar aktivitete përgatitore.

“Në lidhje me informacionet e publikuara sot, në lidhje me urdhrin për fshirje forenzike dhe shkatërrim të të dhënave në Prokurorinë Speciale Publike, të njëjtat në tërësi i demantojmë. Sqarojmë se prokurori Publik Special nuk ka dhënë urdhër për çfarëdo qoftë shkatërrim të materialeve, të dhënave dhe dëshmive në kuadër të Prokurorisë, qoftë ai në formë të shkruar apo gojore”, thanë nga PSP-ja, me çka sqaruan se të gjitha aktivitetet që ndërmerren janë për sigurim të dëshmive.

Të gjitha këto reagime vijnë në periudhën pasi që Janeva dha dorëheqje pak orë para se të iu konfiskohen telefonat mobilë për “aktivitete të mëtutjeshme” në lëndën që e hapi Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit me emrin “Reket”, dhe pasi që me Ligjin për Prokurori Publike PSP-ja do të shndërrohet në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë, do të funksionojnë në kuadër të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit dhe shefe e saj do të jetë Villma Ruskovska.

Përndryshe, në lëndën për “Reket” të dyshuar janë Boki 13 dhe Zoki Kiçeec, se kanë reketuar biznesmenë nëpërmjet prokurorit publik, i cili jo zyrtarisht thuhet se është shefja e PSP-së, Katica Janeva.