Gjykatësja në rastin e Almir Aliut, Maja Denkoska do të avancohet në Gjykatën e Apelit. Alsat nga burime brenda Këshillit Gjyqësor mëson se Denkoska ka mbaruar pjesën e intervistës para komisionit të formuar nga gjykatës të Këshillit Gjyqësor më datë 23 maj.
Apeli në të cilën Denkoska pretendon të emërohet gjykatëse, në janar të vitit 2019 e ktheu në rigjykim rastin e Almir Aliut, ndërsa kjo e fundit vendimin e parë e përsëriti edhe në epilogun e rigjykimit. Në konkursin e hapur për gjashtë gjykatës për në Gjykatën e Apelit janë paraqitur kryesisht emra të njohur të gjykatësve nga gjykatat e shkallës së parë. Përveç Maja Denkoskas.
Alsat mëson se në Gjykatën e Apelit janë paraqitur edhe gjykatësja për materie penale: Olja Ristova nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, gjykatësi penal nga Tetova, Betim Jahja dhe Gabriella Gajdova nga Gjykata Themelore në Veles. Ndërkohë si gjykatës për punë me materie civile në Gjykatën e Apelit kanë konkurruar: Aleksander Shopov, kryetar i Gjykatës Themelore në Veles dhe Snezhana Maneva, kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë dhe gjykatësi i materieve civile në Shkup, Artan Limani.
Aktualisht Këshilli Gjyqësor i ka kushtuar prioritet përgjegjësisë së ish kreut të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski të cilin e pezulloi derisa të vërtetohet përgjegjësia e tij për keqpërdorimin e sistemit AKMIS, si dhe përgjegjësisë së kreut të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski për të cilin do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Jo zyrtarisht, në fillim të shtatorit, përkatësisht pas pushimeve pritet që emërimet e reja në Gjykatën e Apelit të bëhen zyrtare.