Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot duhet të debatojë për Propozim ligjin për regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në vitin 2020, në lexim të parë.
Siç qëndron në tekstin e propozuar, në pajtim me Ligjin për statistikë shtetërore dhe Propozimin pesëvjeçar për hulumtime statistikore 2018-2022, Enti shtetëror për statistikë në muajin prill të vitit 2020 duhet ta zbatojë Regjistrimin e nëntë të popullatës, banesave dhe amvisërive në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Transparencë në procedurat gjatë zbatimit të Regjistrimit, neutralitet dhe objektivitet në të gjitha fazat e procesit, pavarësi profesionale të organeve kompetente dhe shfrytëzim të bazave shkencore në qasjen metodologjike dhe përgatitjen e rezultateve, si dhe besueshmëri dhe mbrojtje të të dhënave individuale, janë synimet dhe kapitujt e ligjit që propozohet.
Sipas Propozim ligjit, parashihet se për Regjistrimin do të jenë të nevojshme 522.751.000 denarë nga të cilët 221.315.000 për vitin 2019 dhe 301.436.000 për vitin 2020. Implikime financiare ndaj Buxhetit shtetëror do të ketë edhe në vitin 2021 (për grumbullim, përpunim dhe botim të të dhënave nga Regjistrimi dhe shpërndarja e tyre), por në vendimin e propozuar ligjor nuk shkruan çfarë shume duhet të projektohet.
“Enti shtetëror për statistikë (ESHS), si koordinues nacional në vend, në tërësi drejtohet para obligimit që sa më shpejtë të zbatojë Regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave, me çka do të tejkalohet zbrazëtira e shkaktuar për shkak të faktit që Regjistrimi në vitin 2011 u ndërpre dhe nuk u realizua. Është e zakonshme që regjistrimet të zbatohen në çdo 10 vjet edhe atë në vitet të cilat përfundojnë në zero ose një. Regjistrimi i fundit i popullatës, amvisërive dhe banesave në vend u zbatua në vitin 2002. Në vitin 2011 regjistrimi i filluar u ndërpre me vendim të Qeverisë”, thekson Propozim-ligji.
Në periudhën e fundit shteti ka zbatuar tetë regjistrime të popullatës: në vitin 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994 dhe 2002.
Në seancën e sotme të Komisionit kuvendor për çështje evropiane është edhe Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2018.