Ibraimi: Jam i bindur në fitore ndaj Dudelanzh

Agim Ibraimi është emri i vetëm që është regjistruar në listën e golashënuesve gjatë këtij edicioni në ndeshjet europiane të Shkëndijës. Numri 10-të i “kuqezinjëve” shënoi dy gola në dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Nome Kalju (nga një në secilën ndeshje), ndërsa gjithashtu shënoi edhe në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminatorë të Liga Europa kundër skuadrës së Dudelanzh.

Marketing

Që të tre golat Ibraimi i realizoi nga pika e bardhë, ndërsa goli i tij i shënuar të martën e kaluar në Shkup nuk i mjaftoi Shkëndijës për rezultat pozitiv, pasi në fund kampionët e vendit pësuan disfatë 2:1. Megjithatë Ibraimi është i bindur se kësaj rradhe Shkëndija do të jetë ajo që do të triumfojë, pasi sipas tij ata ishin më të mirë se kundërshtari edhe në ndeshjen e parë në Shkup.

“Normal ne jemi profesionistë dhe jemi të vetëdijshëm se nuk ka përfunduar asgjë në ndeshjen e parë. Mendoj se eksperienca jonë duhet të bëjë diferencën. Kemi parë se në Shkup demonstruam lojë të mirë, këtë e panë edhe lojtarët e Dudelanzh, mirëpo është rezultati që luan rol kyç në këto kompeticione dhe ne duhet tani aty të marrim atë që duam. Do hymë me bindje, me qetësi, kemi atmosferë shumë të mirë dhe as që dyshoj në triumfin tonë” – tha Agim Ibraimi gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Dudelanzh në Luksemburg.