“Kandidoj për kryeministër” ka deklaruar gjatë ditës së sotme, zv/kryeministri dhe njëherazi ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, i cili si lider i Partisë Lidhja ka dorëzuar në parlament një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Giuseppe Conte.
“I kërkojmë italianëve forcën ta marrim në dorë këtë vend e ta shpëtojmë. I kërkoj italianëve të më japin fuqinë e plotë për të realizuar gjëra si duhen bërë në këtë vend”, është shprehur ai, një ditë pas komunikimit zyrtar se Partia Lidhja nuk pranon më të qeverisë me aleatin “5 Yje”.
Pas deklaratës së Salvinit, kryetarja e Dhomës së Senatit italian Anna Maria Casellati, ka komunikuar se ka thirrur ditën e hënë 12 gusht një konferencë me kryetarët e grupeve parlamentare ku do të vendoset se kur do të mblidhet parlamenti për të votëbesuar kryeministrin Conte.
Edhe gjatë ditës së sotme zëvendëskryeministri Salvini nuk ka kursyer akuzat e tij politike duke paralajmëruar se nuk pranon asnjë lojë të fshehtë politike e as një qeveri koalicioni mes 5 Yjeve e Partisë Demokratike, që është një tallje me italianët dhe e papranueshme për demokracinë.
Salvini ka informuar gjithashtu se senatorët e Lidhjes prej ditës së hënë 12 gusht do të jenë çdo ditë në Parlament.