Sot shënohet 21 vjetori i rënies së komandantit të UÇK-së Ismet Jashari i njohur si Komandant Kumanova.
Ismet Jashari ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Menjëherë pas Epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.
Më 11 mars të po atij viti, ai bashkë me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin dhe të tjerë, futet në zonat ku po vepronte UÇK-ja dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të UÇK-së, shkruan KP.
Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.
Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, por luftëtarët Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj nuk kishin arritur të tërhiqeshin.
Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në Luzhnicë bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova.
Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova.