Partitë kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor, presidenti Thaçi merr vendim nesër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve.

Marketing

Që nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës më 22 gusht, presidenti i vendit Hashim Thaçi, akoma nuk ka shpallur datën e zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, lajmi.net, ka mësuar se të gjitha partitë politike në vend, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, kanë dhënë qëndrimin e tyre se zgjedhjet duhet të mbahen më 6 tetor, kjo pasi që deri atëherë të gjitha partitë, por edhe vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëhet gati për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, edhe pse pothuajse të gjitha partitë politike kanë shprehur qëndrimin e tyre në lidhje me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, lajmi.net, mëson se ende nuk dihet nëse presidenti Hashim Thaçi edhe një herë do t’i ftojë krerët politik që të dakordohen për datën e zgjedhjeve apo thjeshtë do të marrë vendim të njëanshëm dhe do t’i shpallë ato.

“Nesër sqarohet gjithçka nëse presidenti do t’i ftojë partitë apo në mënyrë të njëanshme do t’i shpallë zgjedhjet. Është diskutuar data 6 tetor, por nesër do të sqarohet çdo gjë”, kanë thënë burime të lajmi.net.

Theksojmë se që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik, deri më tani janë krijuar dy koalicione parazgjedhore.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate, ku nga ky koalicion kandidat për kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka bërë koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe bartës i kësaj liste do të jetë, Fatmir Limaj.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, do të shkojë e vetme në zgjedhje dhe kandidat i saj për kryeministër është kreu i këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur që të bëjnë një koalicion parazgjedhor pavarësisht se një gjë e tillë ishte paralajmëruar qysh pas dorëheqjes së Haradinajt.

Përderisa Vetëvendosje tashmë ka zyrtarizuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, LDK-ja pritet që gjatë ditës së nesërme të bëj publik kandidatin për kryeministër.