Ne nuk besojmë në persona, por në institucione. Fakti që Katica Janeva është e komprometuar nuk do të thotë se tërë institucioni është i tillë. Në atë gjithmonë kemi insistuar, në porositë dhe në raportet tona. Kështu kanë deklaruar për MIA-në, nga Komisioni Evropian, lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut sa i përket fatit të Prokurorisë Speciale, pas arrestimit të prokurores Speciale, Katica Janeva si e dyshuar në rastin “Zhvatja”. Komisioni Evropian konsideron se forcat politike të Maqedonisë së Veriut duhet të gjejnë marrëveshje për zëvendësimin e Katica Janevës në pajtim me ligjin dhe potencon se nuk ka kurrfarë roli në këtë proces.
“Themelimi i Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut ishte pjesë e marrëveshjes së Përzhinos, mes të gjitha partive politike kryesore në vend. Zëvendësi ose zëvendësja e saj do të emërohet sipas ligjeve relevante në Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimi Evropian nuk ka pasur dhe nuk ka kurrfarë roli në këtë proces”, deklaroi Maja Kocijançiq.
Komisioni Evropian nuk i komenton publikisht as detajet e negociatave mes pushtetit dhe opozitës për të ardhmen e PSP-së, as rastin “Zhvatja”, por burime të këtij institucioni të cilët nga afër i ndjekin ngjarjet në Maqedoninë e Veriut, për MIA-n thonë se ajo që është më e rëndësishme për Brukselin si dhe për vendet anëtare të BE-së, është hetim i shpejtë, por efikas dhe transparent.
Nga KE presin hetim të paanshëm dhe zgjidhje për PSP-në e cila do të mundësoj të kthehet besimi në gjyqësi dhe në shtetin juridik në vend. Nga kjo në masë të madhe do të varet edhe vendimi për datën e negociatave për Maqedoninë e Veriut e cila pritet në tetor, përkujtojnë në Bruksel.