Humbje e madhe ndarja nga jeta e Mikel Kuzhninit, veprimtarit të çështjes sonë kombëtare, themeluesit, kryetarit dhe kryetarit të nderit të Lidhjes së Shqiptarëve në Botë. Si shumë atdhetarë të tjerë, që për ideal kishin përparimin e kombit, avancimin e proceseve të përgjithshme në mbarë trevat shqiptare edhe emri i Mikel Kuzhninit do të zë një vend të rëndësishëm në panteonin e figurave tona kombëtare.
Kontributi i tij dhe i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë ka qenë jetik në koordinimin e aktiviteteve të panumërta në funksion të kauzës kombëtare, realizimin e aspiratave të shqiptarëve kudo në botë.
Veprimtaria e tij ka qenë dhe do të mbetet udhërrëfyese se si një atdhetar me synime të qarta, patriot i dëshmuar, që mundi t’i bashkojë rreth një subjekti, qindra studiues, veprimtarë, aktivistë të mirënjohur për t’i shërbyer realizimit të objektivave kombëtare të popullit shqiptar.
Në emrin tim dhe të institucionit që drejtoj, u shprehi ngushëllime të thella familjes së respektuar Kuzhnini, Lidhjes së Shqiptarëve në Botë, miqve dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Mikel Kuzhninin!
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës