Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi e ka dhënë edhe një afat për fëmijët e pavaksinuar me MRP – kundër fruthit, që të njëjtit të mund të regjistrohen në klasën e parë, transmeton Portalb.mk.
Megjithëse paraprakisht u tha se, fëmijët në klasë të parë mund të regjistrohen me kusht që të vaksinohen deri në shtator, ky kusht sot është shtyrë edhe për një muaj, kjo sepse në fund të shtatorit do të kuptohet numri i saktë i parashkollorëve të pavaksinuar. Paralelisht me këtë, ministri Ademi deklaroi se, në terren do të zhvillohet vaksinimi.
“Gjatë muajit shtator, shkollat e njoftojnë Inspektoratin e Arsimit për fëmijët të cilët do të duhej të ishin të regjistruar, kurse nuk janë të regjistruar. Në fund të muajit shtator do të kemi numër të saktë sa fëmijë nuk janë regjistruar në klasën e parë. Në ndërkohë ne do të ofrojmë vaksinim në terren”, tha Ademi.
Nga ana tjetër, grupi i prindërve të cilët refuzojnë të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, kanë ngritur procedurë penale në Gjykatën Administrative, e kurse Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i personave të vaksinuar ka arritur deri në 90 për qind.
Sipas Ligjit, prindërit e fëmijëve parashkollor duhet të dorëzojnë raport të kalendarit të imunizimit në shkollë. Ministria e Shëndetësisë pati dhënë urdhër që mos të regjistrohen në shkollë fëmijët të cilët nuk kanë marrë vaksinën kundër fruthit. Kjo masë e Ministrisë erdhi pasi në Maqedoninë e Veriut u shpall epidemia e fruthit.