Profesori i së drejtës penale Mitasim Beqiri thotë se në Maqedoninë e Veriut ka nevojë për një Gjykatë Speciale, e cila do të jetë me seli jashtë vendit. Profesori që ligjëron në Universitetin FON në Shkup ka komentuar edhe idenë për një prokuror të huaj që kërkohet nga partitë shqiptare. Sipas tij, një prokuror i huaj nuk mund të sjell ndryshim dhe fleksibilitet në sistemin gjyqësor dhe se bëhet fjalë për një propozim formal.
“Ky është një propozim lojë dhe nuk mbanë. Institucionet ekzistojnë dhe duhet vetëm të respektohet ligji asgjë me tepër. Mirëpo, këtu në Maqedoninë e Veriut gjithçka e ka humbur kuptimin. Jo prokuror special por gjykatë speciale edhe atë me seli në Hagë ose ndonjë qendër të BE-së. Gjithashtu e kam shprehur dilemën rreth punës së prokurorisë në dy drejtime: – një rreth stërzgjatjes së ngritjes së aktakuzave dhe ngritja e tyre në mënyrë selektive për disa ish funksionar dhe funksionar aktual që janë në detyrë, nuk ndërmarrin asgjë. Prandaj vlerësoj se gjithçka çka përflitet sipas meje është lojë vetëm që të mjegullohen disa punë”, deklaroi për gazetën KOHA, Mitasim Beqiri, profesor i së drejtës penale.