Këtë vit në klasë të parë shkojmë me tandem arsimtarë për lëndën edukatë fizike. Vitin e ardhshëm klasa e parë dhe e dytë, pastaj vitin e tretë, e para, e dyta dhe treta, etj. Rradhazi për pesë vite do të rrumbullaksohet reforma, siç është parashikuar edhe me Ligjin. Këtë e deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, pas hapjes solemne të shkollës fillore “Kiro Gligorov” në lagjen Kapishtec lidhur me rrjedhën e kësaj reforme.
“Kemi thënë se kjo reformë do të fillojë të zbatohet rradhazi konform Ligjit, kështu që në klasën e parë unë me dorën time kam nënshkruar pëlqime për të gjitha shkollat që kanë parashtruar kërkesë për angazhim të arsimtarit shtesë që është kualifikuar për mbajtje të atij mësimi. Sot derisa isha këtu, kolegët e mi më informuan se nga Ministria e Financave tashmë kemi përgjigje pozitive, flas për të gjitha shkollat në nivel kombëtar, të cilët kanë dorëzuar kërkesa tek ne”, tha Ademi.
Reforma “Tandem-partner arsimtar”, (arsimtar klase dhe arsimtar lënde të orës për edukim fizik dhe shëndetësor) është parashikuar nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa qëllimi është përmirësimi i cilësisë së mësimit për edukim fizik, me qëllim të avancimit të aftësive fizike, mjeshtërive motorike dhe njohurive nga fusha e kulturës fizike dhe shëndetësore.
Lidhur me distribuimin e librave, theksoi se zhvillohet sipas dinamikës që e kemi pasur dhe çdo vit dhe se nuk ka hapësirë për shqetësim.