Ligji për Prokurori Speciale Publike duhet të respektohet përderisa nuk miratohet një i ri, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në deklaratën për mediat pas seancës disaorëshe në kryesinë qendrore në Reçicë.
“BDI ka qëndrim të fuqishëm se duhet të respektohet ligji për Prokurorinë Speciale Publike dhe të veprohet në pajtim me Ligjin për Prokurori, të dakordësuar midis të gjitha palëve, aktorë në ngjarjet e para para tre – katër viteve që kanë ndodhur në vend dhe ne kërkojmë ky ligj të respektohet. Çdo devijim nga ky ligj ka pasoja për vendin dhe sistemin juridik të Republikës. Mendoj se ky zhvillim nuk do të ndikojë dhe nuk do të ketë pasoja mbi marrjen e datës për negociatat me BE-në”, deklaroi Ahmeti.
Lidhur me rastin me deputetin Xhevat Ademi, i cili sipas informacioneve para më shumë se një muaj ka gjuajtur në dasmë dhe duke mos dashur e ka plagosur edhe të birin e tij, Ahmeti tha se mediat janë ata që bëjnë dramë nga e gjithë kjo.
“Organet e drejtësisë ta hetojnë rastin dhe t’i bëjnë të ditur të vërtetën opinionit. Askush nuk dëshiron ta vrasë djaloshin, as ta vrasë mikun dhe të paktën Xhevat Ademi nuk është ai që e kryer veprën. Por kjo është çështje të cilën duhet ta tregojnë organet gjyqësore. Xhevati në këtë rast më tepër është viktimë e thashethemeve”, deklaroi lideri i BDI-së.
Në kryesinë qendrore është biseduar edhe për kongresin e ardhshëm në të cilin do të përcaktohet si BDI-ja do të veprojë në 20 vitet e ardhshme.