Në kuadër të vizitave që po u bën shkollave të Komunës së Sarajit, kryetari Bexheti i shoqëruar nga përfaqësues të sektorit të arsimit sot ka vizituar shkollën fillore periferike “Emin Duraku” në vendbanimin Arnaqi.
Kryetari, Bexheti, fillimisht i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për një vit të mbarë shkollor, vit ky, për të cilin tha se do të jetë një vit i sukseseve dhe shumë projekteve që do të përfundojnë.
Në vazhdim, kryetari Bexheti theksoi, se nga vizitat që po bën nëpër shkolla dhe po vërehet një mobilizim i përgjithshëm i mësimdhënësve edhe prindërve. “Kjo na obligon që të angazhohemi më shumë drejt përmbushjes së synimeve për një arsim më cilësor dhe për kushte sa më të mira”, theksoi Bexheti.
Kryetari Bexheti po ashtu, u shpreh i gëzuar që ndodhet në objektin e rinovuar të kësaj shkolle.
“Në këtë shkollë është bërë renovim i përgjithshëm, ku janë ndërruar dritaret, fasadimi i shkollës, ngjyrosja e klasave dhe izolimi i tërësishëm i shkollës.
Ky investim gjithsej ka vlerën prej 2.5 milion denarë si dhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë në krijimin e kushteve sa më të mira.
Kryetari premtoi mbështetje të vazhdueshme për çdo kërkesë që ka çdo shkollë si dhe paralajmëroi vizitën e ardhshme ne shkollën fillore “Sami Frashri” në fshatin Gllumovë, ku ndërtohet salla e re sportive.