Kosova përmbys Çekinë, vazhdon ecurinë pa humbje dhe merr kreun e Grupit A

Kombëtarja e Kosovës ka bërë një hap të madh drejt ëndrrës së quajtur Euro 2020.
Dardanët kanë arritur që të shënojnë fitoren e radhës në kuadër të Grupi A, në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2020.

Marketing

Kosova, para tifozëve të saj, ka shënuar fitore me rezultatin 2:1, më përmbysje, raporton lajmi.net.
Fillimisht, mysafirët kaluan në epërsi me anë të Patrik Schick, kur po luhej minuta e 15’ e takimit.

Djemtë e Vokrrit reaguan pas vetëm pesë minutave, me anë të yllit Vedat Muriqi, i cili shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Elbasan Rashani.

Pjesa e parë u mbyll me golat e këtyre dy lojtarëve, për tu futur në një pjesë të dytë të dominuar nga Kosova.
Inkuadrimi i Valon Berishës dhe Florent Muslija nga Bernard Challandes, i dhanë energji lojës së kombëtares sonë.

Ishte minuta e 77’ kur Mërgim Vojvoda realizoi golin e fitores për Kosovën, pas asistimit dinak të Valon Berishës.
Me këtë fitore, Kosova pozicionohet në vendin e parë në Grupin A, me 8 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Republika e Çekisë.
Gjithashtu, vlen të përmendet se kjo është ndeshja e 15 e Kosovës pa humbje.