“Zhvatja” edhe kryeministri Zaev mund të jetë i incizuar

Kryeministri Zoran Zaev nuk e përjashton mundësinë që biznesmeni Orce Kamçev ta ketë incizuar edhe atë personalisht, siç ka bërë me personat e tjerë të përfshirë në rastin “Zhvatja”. Në një intervistë për revistën javore, Fokus, duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarit nëse ekziston mundësia që kur Kamçevi e ka vizituar Zaevin në kabinetin e tij për ta paraqitur zhvatjen e Boki 13-tës, ta ketë incizuar edhe atë, Zaev nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.

Marketing

“Nuk mund të them nëse më ka incizuar ose jo. Nëse dikund incizon, është e mundur që të më ketë incizuar edhe mua. Kur dikush hyn te unë, fillimisht lihen telefonat, sipas procedurës, me qëllim që të kemi takime të lira”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Ai nuk zbuloi nëse është e mundur që të jenë të incizuara edhe bisedat telefonike mes tij dhe biznesmenit Orce Kamçev. Kujtojmë se muajin e kaluar, gazeta italiane “La Verita” publikoi video materiale të momentit kur Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski i njohur si Kiçeec, me çantë plot me para, dalin nga shtëpia e biznesmenit Orce Kamçev. Nga këto materiale u bë e qartë edhe përfshirja e Kryeprokurores Katica Janeva në rastin “Zhvatja”, pas çka ajo bashkë me Janevën dhe Kiçeecin tashmë ndodhën në paraburgim. Të njëjtat video-incizime biznesmeni i zhvatur, Orce Kamçev i ka dorëzuar edhe në Prokurori.