Dy neurokirurgët me renome ndërkombëtare, Prof. Dr. Henry Thomas Marsh nga Anglia dhe Prof. Dr. Mentor Petrela nga Republika e Shqipërisë, sot e vizituan Universitetin e Tetovës.
Qëllimi i kësaj vizite ishte zhvillimi i një ligjërate publike nga Prof. Dr. Henry Marsh kushtuar intelegjencës artificiale.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, në paraqitjen e tij para auditorit u shpreh se prezenca e dy neurokirurgëve me famë botërore, siç janë, Prof. Dr. Henry Thomas Marsh dhe Prof. Dr. Mentor Petrela, është një nder dhe respekt i madh që i bëhet Universitetit të Tetovës, në veçanti studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Ai, më tej shtoi se Universiteti i Tetovës tanimë është një tempull i hapur për çdo personalitet të shquar nga bota e shkencës dhe artit falë, impenjimit të Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa Prof. Dr. Mentor Petrela tha se miqësia mes Prof. Dr. Henry Marsh dhe popullit shqiptar edhe pse ishte një rastësi dhjetë vjet më parë, megjithatë rezultoi shumë produktive nga se ne kishim nevojë për të mësuar nga mjeku i shquar Marsh, i njohur si një nga neurokirurgët më të mirë në botë.
Përveç neve, privilegjin më të madh e kanë studentët që t’i përcjellin ligjëratat e tij.
Profesor Henry Marsh gjatë ligjëratës së tij theks të veçantë i kushtoi trurit dhe funksioneve që ai kryen, si dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale. Ai tha se truri për nga funksionet që kryen dhe informacionet e shumta të cilat i përpunon, asnjëherë nuk mund të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale.
“Janë shumë njerëz që mendojnë se inteligjenca artificiale është një kërcënim serioz për njerëzimin, ata thonë që kompjuterët dita – ditës janë më të fortë, më të fuqishëm dhe më të mençur, prej asaj që jemi ne njerëzit. Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se truri ynë në të ardhmen do të jetë i zëvendësuar me kompjuterin dhe njerëzit do të bëhen të panevojshëm, pra sipas atyre zhvillimi i intelegjencës artificiale do të sjell fundin e njerëzimit dhe unë personalisht shumë ashpër i kundërshtoj këto teori për vet faktin se truri nuk mund të zëvendësohet me kompjuter, ngase funksionet që kryen ai dallojnë shumë nga funksionet e kompjuterëve”, u shpreh Prof. Dr. Henry Marsh. Gostivari Sot