Zyrtarisht sot është shpallur kandidatura e Ramush Haradinajt për kryeministër të Kosovës, për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, të cilat janë në koalicion parazgjedhor, përveç nominimit të Haradinajt, kanë prezantuar edhe 110 kandidatët për deputet të Kuvendit. Aty, Ramush Haradinaj tha se do t’i mbrojnë kufijtë e Kosovës nëse është e nevojshme edhe me jetë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës, as në tavolinën e bisedimeve, e as në forma të tjera.
“Kur ne ishim duke mbrojtur pragun e shtëpisë sonë atëherë, që ishte edhe pragu i jetës sonë, NATO e primë nga Amerika na ndihmoi, u jemi përjetë mirënjohës. Por kush është shtëpia jonë sot, shtëpia jonë e gjithë neve që jetojmë në Kosovë, edhe e komuniteteve, është Kosova, kush është pragu i shtëpisë sonë sot, prahu i shtëpisë sonë është kufiri, është Kushtetuta, është deklarata e Pavarësisë, është vendimi i GJND-së, dhe ne e kemi mbrojtur dhe do e mbrojmë edhe sot, do ta mbrojmë gjithnjë pragun e shtëpisë, Kosovën. Kosova nuk ka me u nda, as në tavolinë, as pas shpine, as në front, do ta mbrojmë Kosovën, qoftë edhe me jetë”, tha ai.
Ai edhe njëherë tha se populli i Kosovës, është zot shtëpie.
Para simpatizantëve të AAK-së dhe PSD-së, Haradinaj tha se Kosova nuk duhet të kthehet prapa duke u mashtruar nga oponentë, që sipas tij në kohë fushate i mashtrojnë qytetarët për t’u marrë votën.
“Pse me u kthy prapa, pse mos me ecë përpara, a e dini se kthehet prapa Kosova nëse Kosova i jep përkrahje ose mashtrohet prej oponentëve tanë, të cilët janë po të njëjtit veç në kohë të zgjedhjeve ndryshojnë, sepse ata janë të njëjtit, i njohim i kemi parë, por në kohë të zgjedhjeve bëhen engjuj për me marrë votën e qytetarëve tanë, pastaj vazhdojnë me të vjetrën, sepse ata vetëm me të vjetrën dinë me punu”, tha ai.
Ai tha se në listën për deputetë kanë futur njerëz me përkushtim dhe që do të rrisin punësimin në Kosovë.
E kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti foli për taksën 100%, ku tha se Ramush Haradinaj ka pasur presione më shumë nga vendorët për ta hequr atë, por që sipas tij, nuk ka hequr dorë dhe për këtë ka dhënë edhe dorëheqjen.
“Unë kam qenë në ato takime të cilat i kemi mbajtur me Ramushin dhe të tjerët, kur thonin hiqne taksën, kur presion na bënin jo vetëm disa qarqe ndërkombëtare, por presion na bënin edhe disa njerëz të Kosovës, besa edhe nga brenda koalicionit që i ka pasur. Presionin më të madh e kemi pasur prej njerëzve brenda. Edhe atëherë, nëpër mbledhje kur mbesnim vet, edhe deri në fund saqë dha edhe dorëheqje për mos me lëshu pe, ne treguam se për ta mbrojtur Kosovën nevojitet guxim. Sikurse edhe taksa 100%, nevojitet 100% guxim”, tha ai.
Ahmeti tha se njëjtë sikur taksa 100%, nevojitet edhe 100% guxim, dije e përkushtim që të zhvillohet Kosova.
“Po e shihni edhe 20 vite pas luftës, 10 vite pas shpalljes së Pavarësisë, dikush po mundohet ta vë në pyetje shtetin dhe territorin tonë, e për të nejt në këto vija, në këto qëndrime 20 vjet, patjetër që nevojitet 100% përkushtim. Andaj, bashkëqytetarë të nderuar, kur të u pyesin pse duhet ta votojmë koalicionin AAK-PSD, ju duhet t’i thuani, sepse për ta mbajt 100% Kosovën shtet na nevojitet 100% guxim, 100% përkushtim dhe 100% dije, që ky koalicion e ka. Fatkeqësisht po jetojmë në një kohë kur kapësit e shtetit na folin për çkapje të shtetit, kur ata që frikësohen na flasin për mbrojtje të kufijve, dhe ata që duan t’i shkatërrojnë institucionet na flasin për ndërtimin e tyre”, tha Ahmeti.
Në këtë tubim, koalicioni AAK-PSD prezantoi edhe kandidatët për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, raporton KosovaPress.