Meta para Komisionit Hetimor: Anulimi i zgjedhjeve vendore ishte për të shmangur një proces jodemokratik

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretin e tij për të anuluar zgjedhjet vendore të datës 30 qershor, e konsideron si një vendim për të shmangur një proces jodemokratik të votimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Meta ka mbajtur qëndrimin e tij gjatë mbledhjes së komisionit hetimor të Kuvendit të Shqipërisë mbi kërkesën e disa deputetëve për shkarkimin e tij pas vendimit për të anuluar datën e zgjedhjeve vendore.

“Besoj se është shumë e qartë se presidenti Republikës duke nxjerrë një dekret për shfuqizimin e datës 30 qershor si ditë e zgjedhjeve vendore ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetareve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jodemokratik të votimit me një kandidat. Në themel të Kushtetutës është pluralizmi politik dhe janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Përpara këtij parimi kushtetues çdo lloj afati është tërësisht sekondar”, është shprehur Meta.

Ai ka theksuar më tej se më qartë sesa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Strasburgut “askush nuk mund ta sqarojë këtë të drejtë të zgjedhjes”.

“Përveç kushtetutës, kemi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që është në fuqi të cilat e detyrojnë presidentin që të mbrojë të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe t’u japë mundësi të gjithëve të kuptojnë më drejtë dallimin midis votimit dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Presidenti i Republikës e ka për detyrë më shumë se çdokush tjetër që të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar Meta.

Duke folur për arsyet e tjera për anulimin e datës së zgjedhjeve, Meta tha gjatë mbledhjes së komisionit hetimor se “Presidenti i Republikës për shkak të detyrës së tij ka patur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare qoftë përmes burimeve të tjera për përpjekjet për të organizuar akte destablizimi në vend”.

– Komisioni hetimor mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta

Kujtojmë se pas protestave dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), presidenti Meta zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, duke vendosur anulimin e datës 30 qershor 2019. Ai pas disa ditësh dekretoi si datë të re 13 tetorin 2019 për mbajtjen e tyre, datë që nuk njihet dhe mbështetet nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kuvendi i Shqipërisë më 8 korrik miratoi një komision hetimor për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta pas kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese. Raporti i komisionit hetimor dhe shkarkimi i presidentit Meta duhet të miratohen në seancë plenare.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti i vendit mund të shkarkohet nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, ndërsa propozimi për shkarkimin e tij në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Kushtetuta përcakton se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht nuk është funksionale për shkak të procesit të reformës në drejtësi dhe përgatitjeve për zgjedhjen e anëtareve të rinj të saj.

Nga ana tjetër zgjedhjet vendore të datës 30 qershor për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u zhvilluan me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e drejtuar nga Rama së bashku me disa parti aleate të saj.

Partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, bojkotuan zgjedhjet vendore, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare.