Vetëm në 5 ditët e fundit, mbi 50 raste denoncimesh në Karposh për shkak të ndotjes. Situata ka ardhur më së shumti për shkak të tymit që vjen nga djegia e malit “Skopska Crna Gora” dhe djegia masive plastikash në Saraj, dhe siç raportoi Alsat, ndotja para disa ditësh me grimcat PM10 u regjistrua në nivelin 236.
E detyruar nga lista e gjatë e ankesave, komuna e Karposhit ka marrë masë për kontrolle të vazhdueshme vetëm në rajonin e saj, në rast të djegieve të gjësendeve, edhe pse operacioni i ndotjes kërkon masë më të gjerë veprimi. Sipas të dhënave nga Komuna, një ekip inspektorësh do të patrullojë Karposhin nga ora 7:00 e mëngjesit deri në mesnatë. Megjithatë Bogoev pranon se edhe ekipet e Inspektorëve të Komunës nuk mjaftojnë për të mbuluar gjithë thirrjet e qytetarëve.
“Për fat të keq nuk kemi mjaftueshëm numër të njerëzve që të jemi të pranishëm gjithandej prandaj e kemi shumë me rëndësi kur qytetarët denoncojnë me lokacion fiks që inspektorët të jenë efikas dhe të udhëzohen fiks në atë lokacion. Komuna jonë është e madhe, nuk kemi aq shumë njerëz që gjithkund të kemi gjithë kohës mbikqyrje”, deklaroi Stefan Bogoev, Kryetar i Komunës së Karposhit.
Për momentin, komuna e Karposhit është e vetmja që ka marrë një masë të tillë, edhe pse modeste, por sic është njoftuar nëpër rrjetet sociale, nesër koalicioni O2 ka paralajmëruar protestë kundër ndotjes, në ora 18:00 në Autokomandë. Ndërkaq stacionet matëse të Ministrisë së Ambientit Jetësor, për sot tregojnë nivel normal të ndotjes në të gjitha komunat e vendit.