Masat në prag të ndotjes, ambientalistët me kritika

Një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes, Qeveria paralajmëron zëvendësimin pa pagesë të shporeteve të vjetër për ngrohje me kondicionerë Inverter. Ndonëse kryeministri këtë masë e paralajmëroi para dy javësh, ende nuk dihet sa para do të ndahen, sa amvisëri do të përfshihen dhe kush do e financojë këtë masë. Sipas paralajmërimit të kryeministrit, shporetet e vjetra mund t’i zëvendësojnë me kondicionerë vetëm qytetarët e Shkupit, Tetovës dhe Manastirit. Edhe pse masa e paralajmëruar do të jetë pjesë e planit për uljen e ndotjes së ajrit, nga shoqatat joqeveritare thonë se masat janë të vonshme dhe ndotja e ajrit përsëri do të jetë e lartë.

Marketing


Të gjitha subvencionet janë të vonuara. Tani u publikuan për projektet e komunave dhe nuk dimë sa nga ato subvencione do të realizohen. Edhe nëse realizohen, a janë ato vetëm në një vend të caktuar apo të shpërndara në rajone dhe si do ndikojë kjo në tërë ndotjen. Sipas nesh, kjo nuk do të ndikojë shumë. Ndotja është aq e madhe saqë nevojitet qasje sistemore në shumë nivele, jo vetëm te amvisëritë, por edhe në qarkullim rrugor si dhe në kapacitetet industriale, mbeturinat etj- deklaroi Nevena Georgievska, Nisma O2.

Mundësi të njëjtë subvencionimi për kondicionerë inverter deri tani kishin vetëm qytetarët e Shkupit që janë ngrohur me shporete me dru, dhe që nuk kanë qenë të kyçur në ngrohjen qendrore të qytetit. Kjo masë është financuar nga buxheti i Qytetit të Shkupit në vlerë prej 50% nga vlera e pajisjes, por jo më shumë se 500 euro. Thirrja për subvencionim ka filluar nga 1 janari i këtij viti dhe do zgjasë deri në 30 nëntor. Sipas të dhënave të fundit të publikuara, deri në prill, 840 qytetarë kanë aplikuar për subvencione për kondicionerë.