Festë në Elbasan Arena! Shqipëria, spektakël dhe 3 pikë

Kombëtarja shqiptare e futbollit impresionoi në 90 minutëshin e zhvilluar ndaj Islandës në eliminatoret e Europianit 2020, duke korrigjuar në harkun e pak ditëve, disfatën e hidhur me Francën.

Marketing

Kuqezinjtë treguan një lojë ekzaltuese dhe dëshirë për të qëndruar në garën kualifikuese, duke shënuar plot 4 herë në portën e nordikëve, në sfidën e mbyllur 4-2.

Pas gjysmë ore lojë Kastriot Dermaku prishi ekuilibrat në favor të Shqipërisë pas një kërcimi gjigant me kokë në prapavijën e miqve. Por në startin e fraksionit të dytë, Sigurdson çoi sfidën në 1-1 pas një neglizhence të mbrojtjes. Kuqezinjtë u treguan këmbëngulës dhe nuk u dekurajuan, madje një asist fantastik i Manajt solli dhe rrjetën e Hysajt brenda zonës. Avantazhi i dytë i shqiptarëve zgjati vetëm 8 minuta pasi në prekjen e parë me topin, zëvendësuesi Sigtorson barazoi në 2-2.

Zëvendësimet e trajnerit Reja dhanë efekt si në prapavijë ashtu dhe në sulm, pasi Veseli dhe Abrashi ofruan siguri, ndërsa Roshi ishte shkëndija që duhej në sulm. Shqipëria mori për herë të tretë avantazhin me Roshin për të mos e lëshuar më. Mesfushori teknik vallëzoi mes mbrojtësve të Islandës para se të ndihmohej në finalizim, nga një devijim me fat. Por festa mori të tjera përmasa.

Me avantazhin numerik dhe psikologjik në krah, kuqezinjtë arritën të shënojnë me Çikalleshin golin e katërt që ndezi Elbaan Arenën. Koha e mbetur dhe 6 minutat shtesë nuk e zbehën shkëlqimin e fitores, që na çon në 9 pikë në vendin e katërt. Sukseset e Francës 3-0 me Andorrën dhe të Turqisë 4-0 në transfertën moldave e bëjnë kualifikimin të vështirë, por të ëndërrosh nuk na kushton asgjë.