Drejtoria e Doganave ka shtuar kontrollet në vendkalimet kufitare në përputhje me rekomandimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e murtajës së derrit. Nga kjo drejtori thonë se deri në fund do të zbatojnë udhëzimet e AUV-së për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga ushqimet që mund të paraqesin rrezik.
“Të gjitha institucionet të cilat marrin pjesë në kontrollet kufitare kanë marrë udhëzime, ku përgjegjësinë më të madhe e ka marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ne zbatojmë të gjitha udhëzimet që i marrim nga Agjencia”,- tha drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski.
Dogana ndërkohë po punon në lehtësimin e procedurave doganore dhe luftimit të tregtisë jolojale. Për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi më i ngushtë me komunitetin e biznesit.
“Të krijojmë një institucion i cili do të jetë i orientuar drejt partneritetit me komunitetin e biznesit, i referohem ndërlidhjes me operatorët ekonomikë, përfaqësuesit doganorë, agjencitë dhe shërbimet fqinje doganore. Përmirësimi i lidhjes duhet të kontribuojë në përmirësimin e ndjeshëm të punës së Drejtorisë së Doganave, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit, e që ka si qëllim përfundimtar të kontribuojë në përmirësimin e konkurrencës”,- tha drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski.
“Funksionimi efikas i punës së shërbimeve doganore ndikon si një faktor mbrojtës, pasi mbron punën e tyre nga konkurrenca jolojale dhe aktivitetet e paligjshme. Ne besojmë se të gjitha përpjekjet për modernizimin dhe dixhitalizimin e doganave për të lehtësuar tregtinë kanë për qëllim edhe eliminimin e korrupsionit”,- u shpreh nënkryetarja e LOEM-së, Gabirela Kulebanova.
Sektori i biznesit kërkon që të gjitha institucionet të angazhohen seriozisht për të luftuar korrupsionin që pengon zhvillimin e bizneseve.