E shtuna e kaluar në kryeqytetin e Kosovës nuk ishte ditë e zakonshme. Prishtina frymonte me futbollin derisa tema kryesore ishte Përfaqësuesja e Kosovës. Nëpër sheshet kryesore të qytetit shiheshin të rinjë e të reja me fanella të Kosovës.
Entuziazmi ishte i madh. Sigurisht se mbizotëronte fanella e Milot Rashicës dhe Arbër Zenelit, të dy të lënduar.
“S’ka lidhje që nuk luan Rashica, Kosova do të fitojë ndaj Çekisë”, thoshte një i ri teksa bisedonte në Sheshin Nënë Tereza me babain e tij. Vlerësimi i djaloshit doli i saktë pasi që Kosova fitoi me shifrat 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë, sfidë e cila vlente për kualifikmet e Kampionatit Evropian “Euro2020”.
Mirëpo, këto biseda, ky entuziazëm i gjithë popullit të Kosovës ka qenë i mohuar pak vite më parë.
Futbolli i Kosovës doli nga izolimi ndërkombëtar vetëm më 3 maj të vitit 2016 kur u pranua me të drejta të plota si antarë e UEFA-s.
Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, pikërisht në vitin 1991 futbolli kosovar ishte në zenitin e tij dhe kishte vazhdimisht 4-5 klube në të dy ligat federative. Por, përkeqësimi i situatës politike reflektohej edhe në sport. Ishte gati e pamundur të luhej më futboll, e sidomos jo në Kosovë. Kjo bëri që në gusht të vitit 1991, klubi më i madh i Kosovës, Prishtina me një traditë të ndritshme në Ligën e Parë jugosllave të braktisë Ligën profesioniste të Jugosllavisë, sepse nuk kishte më garancë për sigurinë as të lojtarëve, as të zyrtarëve të tjerë, por as të simpatizuesve kosovar.
Në vitin 1991, pas këtij akti të pashembullt, futbolldashësit kosovar treguan qartë se nuk mund të jetojnë pa futboll dhe në kushte absurde për shekullin e 20-të, formuan Federatën e Futbollit të Kosovës, të pavarur nga Jugosllavia me të gjitha organet e saja.
Aso kohe luhej nëpër ara me frikë e drojë se kur do të arrestoheshin nga “Milicija” e atëhershme e Serbisë.
Deri në kohën e pasluftës, futbolli i Kosovës ka funksionuar si i pavarur sikurse edhe politika e asaj kohe.
Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për pranim në UEFA dhe FIFA, u desh që të pritet me dekada që futbolli ynë të jetë i barabartë me të tjerët.
Remzi Ejupi, i cili është president i klubit më të madh në vend, FC Prishtina e kujton të kaluarën derisa po i gëzohet sukseseve të sotme të Kosovës.
“Derisa po i shikoj duke luajtur talentët e futbollit tonë, me shkon mendja te gjenerata e kaluara që tashmë janë shuar. Kanë luajtur nëpër lloç e nëpër ara derisa UEFA dhe FIFA ua kanë shuar ëndrrën që të bëjnë karrierë sikurse të gjithë moshatarët nëpër botë. Ëndrra për të luajtur në Prishtinë apo Mitrovicë në fanellën e Kosovës për ta ka mbetur vetëm ëndërr. UEFA dhe FIFA na kanë shumë borxh. I kanë shumë borxh futbollit të Kosovës pasi që të gjitha mund të falen, përveç kohës, ajo nuk kthehet”, nis rrëfimin në një intervistë për gazetën “Zëri”, Remzi Ejupi.
Ai ndër të tjera deklaron se shtëpitë e mëdha të futbollit botëror mund ta “shlyejë” borxhin ndaj Kosovës vetëm nëse investojnë në Kosovë.
“Vetëm nëse UEFA dhe FIFA investojnë në rregullimin e infrastrukturës në futbollin e Kosovës, në njëfarë mund të shlyejnë borxhin që e ka ndaj Kosovës”, potencoi Ejupi.
“Duke i parë shkrimet e medieve ndërkombëtare dhe vet postimeve që i bën UEFA, mendoj se storja më e suksesshme e UEFA-s është Kosova. Një shtet me afro dy milionë banorë me varfëri të skajshme, por me futboll sot mund të krahasohet me shumë shtete të forta në botë”, vlerësoi Ejupi i cili në futbollin e Kosovës kontribuon tash e shumë vite.
Mos të harrohet kontributi i askujt, shteti duhet të reagojë
Afaristi i njohur kosovar ndër të tjera i kujton edhe njerëzit që sipas tij janë më meritorët për këto të arritura të futbollit kosovar.
“Njerëzit që e kanë mbajtur futbollin në kohën e okupimit nga Serbia janë më meritorët që ne sot luajmë futboll. Ata e kanë shkrirë pasurinë e tyre vetëm që një ditë futbolli i Kosovës të jetë i barabartë më të tjerët. Në atë kohë të punohet në sistem paralel nuk ka qenë e lehtë, mirëpo dashuria e madhe për mëvetësimin e futbollit tonë i ka tejkaluar të gjitha”, vlerësoi Remzi Ejupi.
“Ne si shoqëri dhe shtet nuk guxojmë që në asnjë mënyrë t’i harrojmë ata që në ditët më të vështira e mbajtën gjallë futbollin tonë”, shtoi Ejupi duke propozuar që kontributi i tyre të njihet nga shteti.
“Do të kishte qenë mirë që shteti t’ua krijojë një pension apo diçka të ngjashme pasi që kanë derdhur shumë para, djersë e energji për futbollin e Kosovës”, apelon Ejupi duke thënë se kontributi të madh për këtë përfaqësuese të Kosovës kanë dhënë shumë njerëz.
“Dihet mundi dhe peripecitë nëpër të cilat ka kaluar tashmë kryetari i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri së bashku me sekretarin Eroll Salihu duke lobuar për Kosovën deri në momentin e pranimit apo ish-kryetarët Sabri Hashani, Rexhep Abdullahu e Agim Bytyqi. Për këtë super-skuadër kanë merita edhe trajnerët e mëparshëm të Kosovës, Albert Bunjaku, Edmond, Rugova, Bylbyl Sokoli apo trajneri i parë Ajet Shosholli dhe të gjithë ata futbollistë që për Kosovën kanë luajtur në kushte shumë të rënda. Shumë prej tyre kanë ardhur edhe nga diaspora që ta nderojnë Kosovën”.
“Yjeve të Kosovës në Evropë iu shua ëndrra”
Para pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, futbollistët nga Kosova janë detyruar që të aktivizohen për Kombëtare të tjera.
Remzi Ejupit i vjen shumë keq për një gjë tillë.
“Shkaku i mos-pranimit tonë, futbollistët tanë janë detyruar që të luajnë për shtete të tjera. Atyre u është mohuar që ta përfaqësojnë vendlindjen e tyre apo të prindërve të tyre”, pohoi Remzi Ejupi.
“Sikur të pranoheshim më herët…”
Edhe pse me vetëm tri vite si anëtarë të barabartë me të tjerët, Kosova po dëshmon rezultate të jashtëzakonshme.
Pasi e fitoi grupin e saj në Ligën e Kombeve duke u kualifikuar në gjysmëfinale të kësaj gare, ekipi i drejtuar nga Bernard Challandes po dëshmon se rezultatet në atë garë nuk kanë qenë të rastësishme.
Kosova pas ndeshjeve të katërta në kualifikimet për Kampionatin Evropian Euro 2020, ndodhet e treta në grup me tetë pikë të grumbulluara dhe me gjasa reale për kualifikim.
“Paramendoni sikur të pranoheshim më herët, që nga koha kur jemi bërë shtet. Sot do të ishim në nivele edhe më të larta, më të konsoliduar. Për këtë fakt po them se UEFA na ka borxh. Aso kohe pretendohej se duhet të jemi anëtar të Kombeve të Bashkuara, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ne u pranuam duke mos qenë as sot në OKB”, tha ndër të tjera Remzi Ejupi.
Apeli i Remzi Ejupit
Njeriu i parë i FC Prishtinës ndër të tjera vlerëson se rasti i Kosovës ka qenë politik.
“Sigurisht se rasti i pranimit tonë ka qenë politik. Të gjithë thonë se sporti nuk duhet që të përzihet me politikë, mirëpo UEFA dhe FIFA e kanë bërë një gjë të tillë”.
Ejupi ndër të tjera shprehet i lumtur që futbollistët shqiptarë në Evropë, nuk po hezitojnë që të paraqiten për Kosovën.
“Sikurse në çdo lëmi tjetër, edhe në sport diaspora po jep shumë kontribut. Shumica e lojtarëve që po shkëlqejnë me Kosovën janë të lindur në Evropë, por falë prindërve të tyre, ata po kontribuojnë për vendin tonë”, theksoi Ejupi duke e bërë edhe një apel.
“Apeloj shtetin e Kosovës që të punojë sa më shumë në rregullimin e infrastrukturës në Kosovë. Vendi ynë dominohet nga rinia e shëndoshë që e do shumë sportin. Një gjë e tillë është dëshmuar edhe në Përfaqësuese. Amir Rrahmani, Milot Rashica, Vedat Muriqi, Florent Hasani, Edon Zhegrova, Bernard Berisha apo Visar Bekaj janë zhvilluar në futbollin e Kosovës. Ne kemi shumë potencial, por na duhet si fillim një infrastrukturë e mirë dhe shumë punë. Investimi në sport do t’i shërbente edhe eksodit të ikjes së të rinjve nga Kosova “, përfundoi Remzi Ejupi.